Mbrëmjen e sotme është vendosur edhe çerekfinalisti i fundit i këtij Europiani. Turqia ka eliminuar Austrinë në një ndeshje që dhuroi emocione deri në sekondën e fundit. Sfida u vendos nga goditjet e këndit, teksa prej andej u shënuan të tre golat e takimit.
Dueli nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për turqit. Merih Demirali tundi rrjetën që në minutën e parë, duke ia bërë më të lehtë punën skuadrës së tij. Austriakët u hodhën menjëherë në sulm, por pjesa e parë përfundoi me epërsinë e turqve.
Në minutën e 59 ishte sërish Merih Demirali ai i cili ndëshkoi austriakët, duke dyfishuar shifrat nga këndorja. Vetëm 7 minuta më vonë, Gregorish ngushtoi shifrat po nga goditja e këndit, duke rihapur edhe një herë takimin. Austria sulmoi deri në sekondën e fundit, kur portieri turk u bë hero me pritjen e tij të shkëlqyer. Në fund Turqia triumfoi me shifrat 2-1 dhe do të përballet me Hollandën në çerekfinale./Halit Delibashi-Sport Ekspres/