Sulmuesi i Shkëndijës: Kukësit do i bëja punë tani që nuk ka sulmues, por me Shkëndijën kemi ende për të bërë historinë dhe do të vazhdoj këtu
Jurgen Zela
Izair Emini u shpall kampion me Shkëndijën e Tetovës këtë sezon në Maqedoni, por njëkohësisht mori dhe Kupën. Dy sezone plot sukses për tetovarin që u shpall një vit më parë kampion dhe në Shqipëri. Duket i lumtur 32-vjeçari në shtëpinë e tij. Aktualisht autori i 8 golave këtë kampionat është me pushime dhe po pret aventurën në Champions, ku mund të përballet edhe me Kukësin në turin e parë kualifikues. Emini nuk e preferon një takim me ish-skuadrën e tij, por i duket interesante që të përballet me një tjetër skuadër shqiptare. Po ashtu vetë sulmuesi e pranon se në këtë moment do i bënte punë verilindorëve që nuk kanë sulmues, por e ardhmja e tij do të jetë kuqezi.
– Izair, nga Kukësi në Tetovë dhe sërish kampion, si kanë qenë këto sezone për ju?
Mendoj se më mirë se kaq nuk mund të shkonte. Të shpallesh kampion dy vite rresht në dy kampionate të ndryshme nuk është gjë e vogël dhe normalisht jam shumë i kënaqur me rrjedhën e gjërave në këto dy vite dhe me sukseset e arritura. Në Shqipëri fitova kampionatin, Kupën dhe Super Kupën, këtë vit me Shkëndijën dolëm kampion dhe fitues të Kupës, ndërsa më parë kam fituar Superkupën në Maqedoni dhe kuptohet edhe kampionatin me Shkëndijën në vitin 2011.
–Tani do jeni pjesëmarrës në Champions, besoni se do të përsëritet ajo ecuri e vitit të shkuar, kur Shkëndija u ndal vetëm nga Milani?
Që kur kompania “Ecolog” sponsorizon klubin, Shkëndija rregullisht ka marrë pjesë në Europa League, duke bërë ecuri shumë pozitive, në dy vitet e fundit ka arritur “play-off”-in. Këtë vit do të luajmë në Champions, ku e dimë se do të jetë më vështirë, por sigurisht sërish do të mundohemi të dhurojmë paraqitje dinjitoze dhe të kalojmë sa më shumë ture në kompeticionin elitar për klube, apo nëse gjërat nuk shkojnë mirë më pas edhe në Europa League.
-Në turin e parë mund të përballeni me Kukësin, do e donit një përballje të tillë?
Personalisht nuk e dua një përballje me Kukësin, pasi dua të dy ekipet të kalojnë turin e parë.
-Po nëse do jetë Skënderbeu dhe jo Kukësi kundërshtar?
Po, sigurisht me Skënderbeun do kisha dëshirë të përballemi për shumë arsye. Vlerësoj se do ishin përballje shumë interesante, më shumë edhe festë futbolli për dy ekipe vëllazërore, ndërsa duke parë interesin e madh dhe mbështetjen që marrim nga ato anë edhe për t’i mundësuar publikut në Shqipëri të shohë në vepër forcën e Shkëndijës.
-E keni ndjekur kampionatin shqiptar, Kukësin në veçanti? Si e komentoni këtë sezon?
E kam ndjekur gjithmonë kur kam mundur, jo rregullisht duke llogaritur se kam pasur vazhdimisht angazhime me skuadrën time. Mendoj se Kukësi bëri sezon pozitiv edhe pse mund të bënte edhe më mirë. Gjithsesi mbetet ekip shumë i fortë dhe që i jep ton kampionatit shqiptar.
–Mendoni se do i bënte punë Emini tani Kukësit, duke ditur që nuk ka asnjë sulmues?
Sigurisht se po. Nëse një skuadër ka mungesën e sulmuesit, atëherë do i hynte në punë çfarëdo sulmuesi, posaçërisht nëse do ishte dikush që njeh ambientin dhe ka kontribuar për atë skuadër.
-Shumë yje në sulmin e Shkëndijës, e vuan konkurrencën, kur shohim që Ibraimi dhe Hasani kanë shënuar 45 gola vetëm ata të dy?
Është normale konkurrenca të jetë më e madhe kur një skuadër në përbërje ka super yje si që janë Hasani dhe Ibraimi. Por kur bëhet fjalë për skuadër që pretendon tituj dhe luftë në më shumë fronte, sigurisht se duhet sa më shumë konkurrencë dhe në një sezon të gjatë secili gjen hapësirat e veta. Unë jam i kënaqur nga vetja për atë që kam bërë deri tani me Shkëndijën.
-Sa diferencë ka mes kampionatit maqedonas dhe atij shqiptar?
Mendoj se janë aty-aty, por kampionati shqiptar më duket pak më i fortë në përgjithësi. Kam fjalën për konkurrencën e më shumë ekipeve, infrastrukturën, pjesën mediale, që janë gjithë këto faktorë direkt të bëjnë gjërat të duken ndryshe. Ndërkohë këtu në Maqedoni ka gjëra të bukura dhe Shkëndija kuptohet, por edhe Vardari i viteve të kaluara sigurisht se do të kishin luftuar për titull apo edhe do dilnin kampion edhe në Shqipëri.
-Ku e shihni veten në të ardhmen?
Në vendlindjen time, te klubi ku jam për momentin, sepse vlerësoj se kemi akoma histori për të bërë.