Holker Suvarija është futbollisti i radhës që i bashkohet elbasanasve këtë merkato dimri. Mbrojtësi i Dinamos ka dalë në stërvitje me verdheblutë ditën e djeshme dhe mund të konsiderohet si përforcimi i radhës për skuadrën e Elbasanit. 20-vjeçari ka qenë sezonin e kaluar pjesë e verdhebluve, por u largua për tek Dinamo në merkaton e verës, duke qenë se Elbasani ra në Kategorinë e Dytë. Mirëpo, duket sikur aventura tek dinamovitët ka zgjatur vetëm pak muaj dhe tani i është bashkuar sërish elbasanasve.
Suvarija shihet si një përforcim cilësor në repartin e prapavijës, pasi mund të luajë si në mbrojtje, ashtu edhe përpara saj, çka mund të përdoret nga Merxha aty ku do të ketë më shumë nevojë. Duket sikur verdheblutë e kanë marrë me shumë vrull merkaton e janarit, ku janë afruar katër futbollistë deri më tani, si: Kasa, Tafani, Bullari dhe Suvarija. Tani mbetet për t’u parë se cilët do të jenë të afruarit e radhës, pasi me shumë gjasa nuk do të ndalet me kaq merkato e elbasanasve.
Fatmir Popja