“Elbasan Arena” i boshatisur, ku u gabua me tifozët?

Në ndeshjen me Izraelin niste një event i ri i UEFA-s, që mundësonte një rrugë alternative për të shkuar në Europian. Formati i këtij kompeticioni rezervonte përballje me skuadra të nivelit tonë, ose e thënë ndryshe ndeshje mjaft të forta. Gjithsesi, ajo që u vu re në stadiumin “Elbasan Arena” ishte fakti që kishte shumë pak tifozë.

Sigurisht që vizita e fundit e Izraelit në Shqipëri u shoqërua me shumë masa ekstreme, aq sa një pjesë e mirë e tifozëve nuk e kanë marrë mundimin që të kalojnë “vështirësi” për të parë vetëm një ndeshje futbolli. Nëse në ndeshjen e parë kishte informacion për trazira të mundshme, për takimin e djeshme masat ishin të ekzagjeruara pa asnjë arsye të veçantë.

Shqipëria është një nga vendet që nga ana ekonomike mund të thuhet se është mjaft në vështirësi. Edhe pse në Elbasan kishte çmime të ndryshme për të parë ndeshjen, një biletë në tribunën pëbrallë asaj qendrore, ose siç quhet ndryshe ajo karshi kushtonte 30 mijë lekë të vjetra. Vërtetë një çmim i kripur për dikë që dëshiron të shohë një ndeshje me familjen e tij. Izraeli nuk ka aq shumë yje në skuadër sa të justifikohen me faktin se kishte ardhur “X” lojtar apo “Y”.

Politika e FSHF-së për të përgjysmuar çmimet vetëm 2 orë para ndeshje nuk mund të jetë efikase, pasi askush nuk e merr mundimin 120 minuta pra ndeshjes për të udhëtuar për të parë një ndeshje futbolli.

Nuk mund të luhet pa përmendur që së fundi është ulur dhe numri i tifozëve nga Kosova. Tani është një realitet që “vëllai” i vogël i Shqipërisë do të ketë përfaqësuesen e tij dhe është shumë normale që “Dardanët” të mbështesin skuadrën e tyre.

Së fundmi, por jo nga rëndësia nuk duhen harruar që Shqipëria nuk vinte nga rezultate. Humbjet e fundit kishin krijuar pesimizëm tek skuadra kuqezi. Futbolli luhet për tifozët dhe kjo gjë nuk duhet harruar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *