Nga Klaudio Ndreca
Sirena vërtet të zhurmshme ishin ato që erdhën nga Sllovenia për Endri Çekiçin. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për aftësitë e mëdha që zotëron ky lojtar, por mbërritja në pikën që të kërkohet nga Arsenali ishte vërtet e papritur.
Vlerësime të mëdha vijnë edhe nga trajnerët shqiptarë dhe të Kombëtares për të, ndërsa e kanë stërvitur dhe e kanë parë nga afër. Pasi ishte Redi Jupi që dha opinionet më të mira për “Sport Ekspres” sa i përket Çekiçit, ndërsa e kishte pasur më herët te Shqipëria U-21, këtë herë kemi marrë një prononcim nga trajneri aktual i Shpresave.
Alban Bushi është shprehur se Shqipëria ka pak lojtarë të tipi Çekiçi, madje duke bërë edhe një parashikim që do të kthehet në faktor për Kombëtaren.
“Çekiçi ka qenë nga talentet më të mëdha dhe lojtari më me prespektivë përpara disa vitesh. Te Dinamo e Zagrebit nuk kishte mundësitë që të shpaloste ato vlerat që zotëronte. Por gjithsesi gjithmonë e ka dëshmuar për mendimin tim se është talent. Kënaqem dhe më bëhet qefi kur e shoh që ka ardhur në ditët e tij më të mirë. Një lojtar me karakteristika shumë të mirë që faktikisht Shqipëria i ka të pakët këtë lloj stili të lojtarit. Nëse vazhdon me këto ritme, do të bëhet faktor edhe në Kombëtaren e Shqipërisë”, tha Bushi për “Sport Ekspres”. /Sport Ekspres/