Nga Klaudio Ndreca
Tirana e këtij sezoni duket të jetë më e fortë se kurrë më parë në Europë. Blerjet e reja meritojnë notën 10 në merkaton e verës, teksa bardheblutë janë përforcuar me shumë elemente cilësorë. Fitorja e fundit në transfertë me Dinamo Batumin dhe kalimi në turin e dytë të Conference League ishin dëshmia më e mirë e forcës së ekipit.
Për fatin e keq, tani vjen…Beshiktashi! Jo vetëm tifozët bardheblu, por as ata të futbollit shqiptar në tërësi nuk do ta dëshironin një përballje të tillë. Tirana ka krijuar një ekip simpatik dhe kurioziteti do të ishte i madh për të parë sesa larg do të shkonte.
Teorikisht, nënkampionët e Shqipërisë kanë zero shanse për të kaluar më tej. Por presidenti i Tiranës, Refik Halili, nuk është dorëzuar: “Beshiktashi është bombë? Bombë më të madhe se kjo Tirana nuk ka…”.
Por si pritet të jetë ndeshja e nesërme në transfertën e Beshiktashit? Sport Ekspres ka intervistuar gazetarin e mirënjohur në Turqi, Sercan Dikme. I njohur ndryshe edhe si “Fabrizo Romano i Beshiktashit” pasi çdo lajm rreth këtij klubi, del vetëm nga Sercan. Teksa e pyesim sesi i duken ekipet shqiptare dhe nëse pritet ndonjë surprizë, gazetari turk është i bindur se nuk është ky rasti.
“Futbolli është gjithmonë një lojë surprizash, por realisht nuk mendoj se do të kemi ndonjë surprizë te rezultati i Beshiktash-Tirana. Diferenca në kualitet mes dy ekipeve është e madhe dhe për shkak të disa problemeve që ka pasur Beshiktashi, do t’i kushtojnë shumë rëndësi ndeshjeve në Europë. Beshiktashi është kritikuar shumë nga tifozët këto kohë. Për këtë arsye, do të kujdesen shumë për këtë ndeshje të parë me Tiranën që të kenë edhe qetësinë e tifozëve. Beshiktashi e ka të mundur që të eliminojë Tiranën, me lojtarë si Aboubakar, Gedson dhe Rosier që treguan formë të mirë edhe gjatë përgatitjeve.
Ekipet shqiptare luajnë futboll fizik në tërësi, Tirana do ta provojë këtë gjë edhe kundër Beshiktash. Shqipëria është një vend që e do futbollin, me tifozë të flaktë, ashtu si edhe në Turqi. Presim që Tirana të jetë në mbrojtje dhe të tentojë kundërsulmet, por nuk di shumë rreth ndonjë lojtari të caktuar nga Tirana pasi futbolli shqiptar nuk transmetohet në Turqi”, tha Sercan.
Gjithashtu gazetari i njohur turk kishte një këshillë me shumë vlerë për ekipin e Orges Shehit. Tirana mund ta stresojë Beshiktashin nëse qëndron stoike, pa e pësuar lehtë golin e parë. Por nëse bardheblutë e pësojnë golin e parë brenda 15 minutave, atëherë duhet të bëhen gati me shumë mundësi për një humbje të thellë.
“Pika e dobët e Beshiktashit? Do të stresohet shumë nga minuta në minutë, nëse nuk arrin të shënojë golin e parë. Presioni është i madh nga tifozët në stadium. Por nëse ndodh e kundërta, pra nëse Beshiktashi shënon golin e parë brenda 15 minutash, ndeshja do të shkojë shumë më e lehtë nga çfarë është imagjinuar. Ambienti i stadiumit, entuziazmi i tifozëve dhe i lojtarëve të Beshiktash mund të prodhojë shumë gola të tjerëve. Shansi i madh i Beshiktash është që ka një trajner si Senol Gunes sepse i jep shumë besim ekipit.
Nëse Beshiktashi do të eliminohej nga Europa tani, nuk do të kishte asnjë kuptim llogjik për këtë. Beshiktashi është pak me vonesë në transferimin e lojtarëve në sytë e tifozëve, por kjo nuk është një arsye për të justifikuar eliminimin me Tiranën. Ka një diferencë të madhe në anën ekonomike mes dy ekipeve, të buxheteve të klubeve. Do të kishte shumë kritika si nga mediat dhe nga tifozët për ekipin e Beshiktash”, përfundoi Sercan. /Sport Ekspres/