Pajtim Kasami ishte një prej lojtarëve, të cilët fillimisht u vendos të largoheshin nga Sioni. Kriza financiare bëri që presidenti i klubit të dilte me një zgjidhje të tillë, duke përfshirë edhe emrin e Kasamit dhe të Lenjanit në listën e futbollistëve që nuk do të ishin më pjesë e skuadrës. Por në fund kreu i Sionit bën prapakthehu, duke tërheur vendimin e tij për të larguar dyshen shqiptare.
Megjithatë e ardhmja e Kasamit me shumë mundësi nuk do të jetë në Zvicër. “Sport Ekspres“ mëson se mesfushori shqiptar është pranë një rikthimi te Olimpiakos. Klubi më i njohur grek është në bisedime me Pajtim Kasamin, për të cilin ka dorëzuar edhe një ofertë. Kujtojmë se lojtari 28-vjeçar ka qenë pjesë e Olimpiakosit në periudhën 2014-2017, ndërsa një vit përpara se të transferohej në radhët e Sionit ka provuar huazimin te Notinhem Forest. Por fatet e klubit helen dhe Kasamit janë gati të ritakohen sërish dhe sezoni që vjen pritet ta gjejë mesfushorin me fanellën skuadrës nga Pireu./Halit Delibashi-Sport Ekspres/