Trajnëri i përfaqësueses U-21 të Kosovës, ka analizuar për “Sport Ekspres” ndeshjen e radhës që ekipi i tij do të ketë përballë Anglisë U-21. Prekazi e ka cilësuar si të vështirë kundërshtarin e tyre, megjithatë ekipi i tij do të analizojë gjithçka në përballjen që tre luanët do të zhvillojnë fillimisht ndaj Turqisë dhe do të përpiqet të rezistojë në fushë. Gjithashtu trajneri shprehet se beson në kualitetet e lojtarëve të tij dhe se rritja do të vijë gradualisht.
“Anglia është e fortë, por do analizojmë lojën e tyre pas ndeshjes që kanë më datë 6 shtator me Turqinë. Ne do të shikojmë më pas se si mundemi t‘i rezistojmë Anglisë. Sido që të jetë, ne gradualisht po ngrihemi si ekip dhe mendoj që kemi kualitet në ekip. Me kohë, shkallë-shkallë do jemi ekip që do të na respektojnë skuadrat e tjera. Koha punon për këta djem dhe për futbollin e Kosovës”, ka thënë Rafet Prekazi për “Sport Ekspres”.
Ndërkohë 21 vjeçarët e Kosovës shkojnë në përballjen me Anglinë me 2 fitore të grumbulluara në po aq ndeshje, ndërsa anglezët do ta kenë betejën e tyre të parë në këto kualifikuese të Europianit me Turqinë në 6 shtator. /Sport Ekspres/