Ekskluzive/ “Tifozët e Partizanit me të Tiranës pinë kafe me njëri-tjetrin”! Altin Rraklli: Respekt për Gaz Demin, por kam derdhur djersë si bardheblu, FORCA TIRONA

Nga Klaudio Ndreca

Derbi mes Tiranës dhe Partizanit është gjithmonë kryefjala e futbollit shqiptar, aq sa në jo pak raste ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja. Këtë herë interesi shtohet më tepër pasi me shumë mundësi fituesi dhe nderi i kryeqytetit deri në derbin e ardhshëm, do të festojë edhe titullin kampion.

“Sport Ekspres” ka zhvilluar një intervistë të gjatë me Altin Rrakllin, figurën e njohur të Kombëtares, që ka luajtur edhe me Tiranën. Legjenda kuqezi ka bërë analizë të kësaj ndeshje, të kampionatit shqiptar në tërësi dhe të elementit që na mungon për të pasur sukses në Europë, meqë po afron edhe periudha kur ekipet shqiptare të dalin sërish në arenën ndërkombëtare.

Si e shikon këtë derbi mes Tiranës dhe Partizanit, cila është përshtypja e parë mbi ndeshjen?

Është padyshim ndeshja më interesante e kampionatit. Kur luajnë këto dy ekipe ka shumë pak rëndësi gjendja aktuale, renditja në kampionat, objektivat që kanë, ato prodhojnë një ndeshje natyrale. Në këtë rast i bashkohet edhe pjesa e titullit kampion, ai që fiton këtë derbi hedh një hap të madh drejt titullit. Tirana ka avantazhin e dy pikëve, luan edhe për barazimin në këtë ndeshje, gjë që e favorizon për mua. Partizani është i dënuar për fitore dhe kjo do ta bëjë me interesante. Partizani do të kërkojë që të sulmojë për fitoren, ndërsa Tirana do të mbrohet dhe do të tentojë kundërsulmet.

Pyetja më e madhe është në fakt se kush e ka presionin, e ka Partizanin që i bën punë vetëm fitorja apo e ka Tirana që e kishte kampionatin në dorë në gjithë sezonin dhe rrezikon ta humbi tani në fund?

Këto elemente e ekuilibrojnë njëra-tjetrën. Tirana ka tre mungesa të rëndësishme, nga ana tjetër ka dy pikë më tepër. Duke marrë parasysh historikun e tyre që nuk mund të luajnë në mbrojtje, pasi kur shohin bluzën e njëra-tjetrës acarohen aq shumë sa e sulmojnë kundërshtarin(qesh), do të shohim ndeshje interesante. Partizani ka trajner italian që është i kujdesshëm, ndërsa Tirana ka Orges Shehin që është kampion. Është shumë i ekuilibruar ky takim, nuk dihet se nga kush anë do të shkojë. Mendoj se do të jetë ndeshje spektakolare, pres shumë tifozë, finale më të mirë se kaq nuk mund të kishim.

Çfarë mban mend nga koha e atëhershme, sa shumë shijonte një derbi dhe si përjetohej?

Ishte spektakël atëherë. Unë vija nga kampionati gjerman, me stadiume shumë të mbushura, por derbi këtu ishte spektakël, unike si derbi. Tani ka kushte më të mira, po shpresoj të mbushet, nuk po e shoh të mbushet njëherë Air Albania. Mbaj mend në kohën tonë Qemal Stafa mbushej plot, nuk kishte më vende në stadium kur luhej Tirana-Partizani. Edhe atëherë 18.000 vende kishte Qemal Stafa, ky mban 3000 vende më shumë por nuk po e shoh ndonjëherë të mbushur plot.

Cila ishte marrëdhënia me lojtarët e Partizanit, kundërshtarët, zgjaste shumë inati pas një humbje?

Futbollistët me njëri-tjetrin janë shok se lojtarët lëvizin, njëherë me Partizanin, Dinamon, Vllazninë etj. Pra lojtarët janë shok me njëri-tjetrin, por në fushë janë armiq, nuk e njohin njëri-tjetrin. Pas ndeshjes harrohet çdo gjë. Kur mbaron ndeshje ti i takon lojtarët e Partizanit pi kafe me ata, normalisht.

Po biseda që kishit me tifozët para apo pas ndeshjes? Ju takonin në rrugë dhe ju inkurajonin që ta fitonit ndeshjen?

Po pse si kujtoni ju që tifozët e Partizanit dhe të Tiranës nuk pinë kafe me njëri-tjetrin? (qesh) Të jeni të sigurt që pinë kafe, edhe para derbit. Nuk po flas për ata tifozët që zihen dhe përleshen, por për të tjerët. Ajo është e bukura që tifozët bënin debate me njëri-tjetrin në kafe, në punë, se kush ishte më mirë.

Në këto kohë kemi parë që kampionati është shumë konkurrues, por në Europë kemi dështuar në sezonin e fundit. E ka kjo një shpjegim?

Nëse ti thua që kampionati ynë ka qenë konkurrues, skuadrat nuk kanë pasur dallim nga njëra-tjetra, kjo nuk do të thotë që ti ke kampionat kompetitiv në Europë dhe të jesh po aq i fortë. Nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Kur kampionati ynë ndahej në dy pjesë, katër ekipe që luanin për Europën, tre ekipe që luanin për poshtë dhe pjesa e mesit që rrinë në zonën e qetë, jemi paraqitur në mënyrë perfekte në Europë me Skënderbeun, Lacin, Kukësin. Pra nuk ka shumë lidhje me njëra-tjetrën. Një ekip që do të shkojë larg në Europë duhet të jetë stabil, nuk ka shumë lidhje me kampionatin vendas sesi ti po shkon.

Çfarë mungon në këtë pjesë që ekipet e Shqipërisë të lënë gjurmë në Europë?

Elementi kryesor është ai ekonomik, nuk thith dot lojtarë me cilësi. Zhdukja që iu bë Skënderbeut e dëmtoi futbollin shqiptar, të jeni të sigurt për këtë. E drejtë apo e padrejtë unë nuk mund të futem te kjo pjesë, nuk jam kompetent, por ishte e ashpër pasi ka pasur ekipe të tjera në Europë që nuk janë dënuar siç ndodhi me Skënderbeun. Por kjo e dëmtoi kampionatin tonë, veçanërisht në Europë. Atëherë kishte shumë cilësi në lojtarë, të kalosh ture në Europë do të thotë të kesh lojtarë me cilësi, nuk kalon dot ndryshe. Prandaj ekipet tona janë konkurruese me njëra-tjetrën në kampionat, se nuk kanë lojtarë me cilësi, buxhetet janë aty-aty. Atëherë ishte Skënderbeu me buxhet të madh, ishte Laçi me buxhet të madh se kalon ture radhazi në Europë dhe situata ishte më ndryshe.

Në fakt ne na duket se lojtarët nuk po arrijnë në lartësinë e stadiumeve. Pra kemi infrastrukturë të mirë, por lojë që sa vjen dhe dobësohet në nivel…

Ka qenë që në vitet 90 që lojtarët cilësorë mundohen të ikin jashtë, sa të ikin në çdo vit? Në momentin që ikin lojtarët cilësorë dhe ti nuk i zëvendëson ata me lojtarë të huaj cilësor, atëherë kampionatit i bie cilësia. Kjo është logjike. Ti nuk i zëvendëson më të mirët me lojtarë të tjerë cilësor, atëherë nuk pret dot më tepër. Nuk duhet të prisni që në çdo vit ekipet shqiptare me buxhetet që kanë të kenë arritje në çdo vit në Europë. Do të ketë një periudhë shpërthimi dhe më pas qetësie, si po ndodh tani. Për sa kohë nuk del një ligj për sportin, një stimul nga Qeveria, nga shteti, me atë ekonomi të brishtë që ka Shqipëria është e vështirë që futbolli të ngrihet në nivelet që ne kërkojmë.

Pyetja e fundit, Altin Rraklli për kë bën tifoz në derbi?

Unë kam luajtur me Tiranën, padyshim që me ekipin që kam derdhur djersë, me atë jam. Patjetër që unë bëj tifo për Tironën, kam qenë pjesë edhe e Partizanit me presidentin Demin, por në momentin që kam derdhur djersë për Tiranën dua që ata të shpallen kampion. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *