Ekskluzive/ “Thomas Strakosha luante me djalin tim”! Ish-lojtari i Polonisë: Shqipëria bën surprizën e grupit, lojtarët tuaj janë luftëtarë, e keni në ADN

Intervistoi: Klaudio Ndreca

Silvinjo ka ndryshuar dhe ka rritur optimizmin te kuqezinjtë, jo vetëm te lojtarët, por edhe te tifozët. Një histori e re ka filluar dhe kujtesa fshin me gomë gjithçka ka ndodhur në kohët e fundit, me kujtimet tona që nuk janë shumë të bukura për t’u shënuar në memorie. Këtë herë kërkojmë që të mbërrijmë në Gjermani. Ky është momenti ideal që gjatë gjithë rrugës së kualifikueseve Armando Broja të tregojë se luan te Chelsea, se Marash Kumbulla luan te Roma, se Kristjan Asllani luan te Interi, se Berat Gjimshiti luan te Atalanta, se Myrto Uzuni luan te Granada, pa harruar edhe shumë futbollistë të tjerë.

A do t’ia dali,? Testimi i parë do të jepet në 27 mars në Varshavë, ku së bashku me lojtarët e Kombëtares do të jenë zemrat e të gjithë shqiptarëve që e ndjekin nga kudo. “Sport Ekspres” ka intervistuar një prej ish-lojtarëve të njohur të Polonisë para këtij takimi. Ish-sulmuesi i Gent, Metz, Apoel Nikosia, Mouscron dhe i disa ekipeve polake, Marcin Zewlakow ka folur për Kombëtaren tonë duke na vlerësuar për rritjet që kemi në këto vitet e fundit.

Shqipëria do të vijë për të luajtur me Poloninë në Varshavë. Si e prisni këtë takim, mendoni se do ta keni të lehtë kundër nesh?

Disa vite më parë kur përballeshim me Shqipërinë, të jemi të sinqertë e prisnim fitoren. Tani kemi mësuar se kur luan me Shqipërinë dhe pret një fitore të lehtë, kjo të kushton shumë. Shembulli më i mirë është edhe ajo ndeshje e fundit mes Polonisë dhe Shqipërisë në Varshavë.

A meritonte më shumë Shqipëria në atë takim të fundit që kemi zhvilluar në Varshavë?

Unë mendoj se sot Shqipëria luan futboll edhe më të mirë. Ajo ndeshje e parë në Varshavë kishte rezultat jo logjik sepse ju meritonit më tepër në rezultatin përfundimtar. Ne e dimë tani se kundër Shqipërisë, nuk ka më ndeshje të lehtë. Kemi respekt për Kombëtaren tuaj. E dimë se ku luajnë futbollistët shqiptar, gjithçka është rritur në futbollin shqiptar, prandaj nuk presim një fitore të lehtë dhe tre pikë të thjeshta. E dimë që do të jetë betejë kjo.

Atëherë, cilët prej lojtarëve të Kombëtares tonë njihni më tepër, për kë keni më shumë informacion?

Lojtarët që njoh nga Shqipëria? Hysajn, pasi ka qenë te Napoli me Zielinskin dhe Milik. Është një histori e bukur dhe qesharake pasi kur unë luaja në Apoel, Foto Strakosha ishte trajneri i portierëve. Unë e kujtoj ende Thomas Strakoshan si fëmijë, që luante pastaj me djalin tim në fushë pasi ne mbaronim stërvitjen. E njoh Strakoshën që ishte te Lacio dhe tani shkoi te Brentfordi. E njoh personalisht. Njoh Armando Brojën padyshim, por edhe Keidi Baren, pa harruar Sokol Cikalleshin që shënoi në Varshavë. Tani nuk ka më si më parë, kur nuk i kushtojnë rëndësi lojtarëve të Shqipërisë. Ne e dimë se ju keni futbollistë cilësor, me cilësi shumë të mira individuale dhe që janë gati për të marrë pikë ndaj kujtdo kundërshtari.

Cila është veçoria që mendon se e dallon më tepër Shqipërinë si Kombëtare?

Unë besoj shumë se keni lojtarë shumë të mirë individualisht. Pyetja është nëse të gjitha këta mund të krijojnë një ekip së bashku. Mentaliteti juaj ka qenë që të jeni luftëtarë në fushë, kjo është ADN e kësaj Kombëtare. Ne e dimë që do të jetë betejë, asgjë nuk do të jepet falas për ne. Për një pikë, për tre pikë, ne e dimë se duhet të luftojmë. Ne jemi të fokusuar te këto ndeshje. Në fillim do të luajmë me Cekinë, që është histori tjetër. Por në këto dy takime do të kërkojmë 6 pikë. 4 pikë nuk do të ishin rezultat i keq, por 6 pikë do të na afronin më tepër me kualifikimin.

Nëse ju pyesim tani, kush do të jenë dy Kombëtaret që do të kalojnë më tej nga grupi ynë?

Nëse më pyesni tani, unë them Polonia dhe Cekia. Por akoma besoj se Shqipëria mund të jetë surprizë. Sigurisht, Poloninë e shoh në vendin të parë, ndërsa në vendin e dytë mendoj se Shqipëria do të bëjë surprizën. Sigurisht që Polonia dhe Cekia janë më favorite pasi kanë më shumë eksperiencë në turnet prestigjioz. Futbolli shqiptar nuk është më si më parë, në Shqipëri do të jetë akoma më e vështirë për ne pasi stadiumi nuk është i rehatshëm. Nuk është më si më parë.

Çfarë prisni nga një ekip i ri që ka ndryshuar trajnerin, pasi nga tani jemi me Silvinjon, një emër i njohur në futbollin botëror si ish-lojtar, më pak si trajner.

Të them të drejtën, ne nuk e dimë ende mirë se çfarë na pret me Santosin. Për të folur për Silvinjon, është akoma edhe më e vështirë. Ne duhet të luajmë futbollin, të dominojmë ndaj jush. Për ne do të jetë kapitull i ri, një trajner i ri është kapitull i ri. Është e rëndësishme është që ta nisim mirë sepse e fillojmë me dy rivalët kryesorë, Cekinë dhe Shqipërinë, janë dy kundërshtarët më të vështirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *