Nga Klaudio Ndreca
Shqipëria ka njohur kundërshtarët e Ligës së Kombeve teksa do të ndeshet ndaj Rusisë, Islandës dhe Izraelit. “Sport Ekspres” ka intervistuar ndihmësin e Rejës, Sergio Porrini, që ka dhënë mendimin e tij për këta kundërshtarë. Duke qëndruar me këmbë në tokë, italiani nuk zgjedh që të premtojë shumë, por kërkon që djemtë e Kombëtares të tregojnë rritjen në cilësi përgjatë këtyre kohëve.
“Mendoj se shorti nuk është i lehtë sidomos kur duhet të konkurrosh me ekipe që luajnë vazhdimisht kundër Kombëtareve më të mira dhe mësohen të luajnë në fazën finale të Evropës dhe Kupës së Botës (Islanda dhe Rusia). Ne kemi ardhur tani nga Liga C dhe duhet të tregojmë se jemi përmirësuar për të qëndruar në Ligën B. Do të jenë të gjitha ndeshje të vështira për t’u luajtur.
Rusia është një skuadër shumë e fortë dhe sigurisht që janë favorit për të fituar grupin pasi bënë shumë mirë edhe në kualifikueset evropiane. Do të jetë një test i madh për ne për të parë nëse jemi përmirësuar mjaftueshëm për të qenë konkurrues me këtë lloj Kombëtare të mirë.
Izraeli është ekip shumë i mirë gjithashtu, por ne do të luajmë për t’i treguar vetes se jemi përmirësuar shumë në këto dy vitet e fundit. Ne e merituam dhe fituam grupin e Ligës së Kombeve dhe duam të luajmë sa më mirë për të mbetur në Ligën B, duke u përpjekur që të marrim rezultate sa më të mira”, tha Porrini.
I pyetur rreth nënvlerësimi që ish-trajnerët dhe ish-lojtarët e Rusisë po bëjnë për Shqipërinë, Porrini ka përmbyllur: “Ne i respektojmë të gjitha skuadrat kundërshtare dhe kemi konsideratë të madhe për Rusinë, kështu që ndeshjen tonë do ta luajmë në mënyrën më të mirë të mundshme pa u kujdesur se çfarë mendojnë ata për ne. Nëse na nënvlerësojnë, është edhe më mirë”, tha Porrini. /Sport Ekspres/