Ekskluzive/ “Sot do hakmerrem për ty Besnik”! Myrto Uzuni rrëfehet mes mesazheve: Ëndrra më e madhe si djalë i Beratit…

Nga Klaudio Ndreca

Në Shqipërinë që tanimë nuk i mungon më asgjë në krahasim me shtetet e tjera të Europës dhe në dukje një vend që po zhvillohet me hapa të frikshëm, vuhet për një element më thelbësor: “MODELET(SHEMBUJT)”. Pra ka pak gjurmë që mund të ecësh dhe t’i ndjekësh për të mbërritur në vendin dhe lartësinë që dëshiron, për ta nisur udhëtimin tënd i vetëm dhe kur ndodhesh në pikën zero.

Sa i përket futbollistëve shqiptarë mund të themi se gjurmët e lëna nga Myrto Uzuni janë ende të dukshme për të vazhduar në të njëjtën mënyrë. Për ta nisur hap pas hapi dhe nga nivelet më të ulëta në Shqipëri, për të shkëlqyer në Superiore, për të qenë një nga më të mirët në Kroaci dhe tani…”Champions League”.

Vetëm 90 minuta e ndan këtë futbollist që me Ferencvaroshin të mbërrijë në grupet e kompeticionit ku do të përballet me yjet botëror. Në shifrat 3-3 përfundoi takimi i parë në transfertë, ndërsa skuadra hungareze duket kaq pranë arritjes së historisë. Nga ana tjetër për Uzunin ka shumë motive shtesë për ta mposhtur Molden.

Fillimisht një krenari personale dhe një dhuratë për familjarët dhe ata që i besuan, duke tejkaluar çdo vështirësi që ndonjëherë ishte edhe luftë mbijetese, për të vazhduar me suksesin e përbashkët me ekipin që sapo iu bashkua dhe për të mos harruar, një hakmarrje për Laçin. Në kohën që Uzuni ishte pjesë e kurbinasve dhe kur skuadra drejtohet nga Besnik Prenga, Molde do të kalonte më tej dhe do të eliminonte ekipin shqiptar. Tanimë situata ka ndryshuar dhe sulmuesi i Kombëtares ndien forcën për t’i nxjerrë nga gara dhe këtë sukses do t’ia dedikoj personit që i dha dorën për ta dërguar te Lokomotiva e Zagrebit, Besnik Prengës.

Thuhet se futbollistët më të mirë dalin nga balta. Është padyshim ky dhe rasti juaj. Ka qenë e vështirë për të mbërritur deri këtu sigurisht…

Normalisht që vuajtjet të japin një shtysë të madhe në jetë për të ecur përpara. Unë e kisha të qartë që në fillim se vetëm futbolli mund të më nxirrte nga jetesa e vështirë. Uroj shumë që të mos ndalem, pasi kam akoma shumë për të dhënë.

E kthen shpeshherë kokën pas për të parë se nga ia ke nisur?

E kujtoj periudhën nga kam ardhur pasi është forca ime dhe më bënë më të fortë për të vazhdoj në këtë rrugë.

Në hapat e parë, ëndrra më e madhe që të vishje fanellën e Tomorit apo jo?

Ishte ëndrra më e madhe si një djalë i Beratit dhe e ndiqja Tomorin në stadium. Doja të isha në fushë dhe të mbaja atë fanellë. Jam i lumtur që kam luajtur për qytetin tim.

Në mediat hungareze ke përmendur edhe vuajtjet e atëhershme të kaluara në Greqi dhe shumëllojshmërinë e punëve që ke bërë. Ke menduar ndonjëherë në ato momente se ëndrra për t’u bërë futbollist i njohur po largohej nga punët që duhet të bëje për të siguruar jetesën?

Jo, nuk jam dorëzuar në asnjë moment. Siç e kam theksuar edhe më parë që ne kemi mbërritur në Greqi për jetë më të mirë. Do ta kuptonim shumë shpejt se jemi të huaj në atë tokë dhe vështirësia vinte dyfish më e lartë për ne. Por me ndihmën e familjes ia kemi dalë së bashku.

Tashmë je vetëm një hap larg Champions League. Duhet të jetë e vështirë për të fjetur gjumë në këto kohë?

Është një ndeshje shumë e bukur dhe në fakt unë mezi po pres që të vijë e marta dhe të fillojë ndeshjen tjetër me Molden.

Një hakmarrje për Laçin dhe një sukses i madh personal dhe për Ferencvarosh. I bindur se do ta kaloni Molden?

Sa i përket hakmarrjes unë isha duke folur me profesor Besnik Prengën. Në kohën që u mundëm te Laçi nga Molde ishte Prenga trajner. Prandaj i thashë: “Sot do të hakmerrem për ty”.

Pavarësisht hapave gjigand që ke hedhur në pak kohë nuk kanë munguar edhe kritikat. I kushton vëmendje?

Kritika do të ketë dhe unë i falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur. Sa i përket kritikuesve, le të vazhdojnë dhe të japin mendimet e tyre. Thjesht u jap një këshillë që nuk i kushton asgjë që të flasin edhe pozitivisht.

E për ta përmbyllur, nëse ke një mesazh për ti dhënë futbollistëve të rinj nisur nga karriera jote personale dhe leksionet e marra…

Për lojtarët e rinj dhe në kushte të vështira ekonomike apo edhe për të tjerë që ndihen të dorëzuar: “Mos hiqni kurrë dorë nga ëndrrat tuaja. Për ato ëndrra duhet që të zgjoheni në çdo mëngjes, të stërviteni dhe të flini me objektivin për t’u bërë dikush në jetë”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *