Ekskluzive/ “Silvinjo tregoi se është psikolog, por nuk lihej jashtë Roshi me Çekiçin”! Altin Rraklli: Broja-Uzuni bëjnë mrekullira më vonë, me Poloninë barazojmë 1-1

Shqipëria do të përballet me Poloninë në ndeshjen e parë kualifikuese të Europianit. Optimizmi është i madh për debutimin e Silvinjos. Myrto Uzuni u shpreh në konferencën për shtyp se Shqipëria e brazilianit do të jetë më shumë sulmuese.

Por sa e aftë është Kombëtarja për të luajtur në këtë mënyrë? Altin Rraklli ka dyshime të mëdha dhe këtë e ka shprehur në intervistën e tij për “Sport Ekspres”. Nga ana tjetër ka pasur jo pak komplimente për mënyrën sesi Silvinjo e ka nisur punën te kuqezinjtë.

Myrto Uzuni u shpreh se Shqipëria e Silvinjos do të jetë më sulmuese se e Rejas. Mendon se mund ta përballojmë Poloninë në këtë mënyrë?

Gjithçka varet nga mënyra sesi lojtarët do t’i përgjigjen skemës, nga mentaliteti i tyre, nga ana teknike dhe fizike. Polonia është shumë e shpejt dhe fizike, a je në gjendje t’i përballosh? Ka shumë pikëpyetje nëse thua se Shqipëria e Silvinjos do të luajë në sulm. Del në konkluzion, a ke t’i ekip për të luajtur me Poloninë në sulm ballor? Nga ana teorike mund të thuash çfarë të duash, por Shqipëria nuk e ka bërë kurrë që të luajë në sulm. Nëse luan kështu, atëherë ke në ekip dy mbrojtësa të klasit të lartë që kanë aftësinë të mbrojnë 3-4 lojtarë kundërshtarë kur ata dalin në kundërsulm. Por Shqipëria nuk e ka këtë gjë dhe dalim shumë herë zbuluar kur e tentojmë një gjë të tillë, unë e quaj shumë të rrezikshme. Mos të fluturojmë tani!

Silvinjo! Disa e quajnë fat që ky emër me peshë në futbollin botëror drejton Shqipërinë. Disa të tjerë kujtojnë eksperiencën e tij të pakët si trajner dhe janë kundër brazilianit. Në cilin krah rreshtohet Altin Rraklli?

Në asnjë prej këtyre krahëve. Asnjë trajner në botë, qoftë me eksperiencë apo pa eksperiencë, nuk gjykohet pa e parë qoftë edhe një ndeshje. Edhe një trajner që zbret për herë të parë dhe nuk ka stërvitur më herët, nuk gjykohet dot, duhet ta shohësh në fillim. E vetmja gjë që unë nuk kuptoj është sesi mundet që Silvinjo ta marrë Shqipërinë dhe të luajë menjëherë me Poloninë. Tani ose ka qenë e pamundur për të gjetur një miqësore ose këta trajnerët kanë pasur shumë besim të vetja, por le të presim dhe të shohim. Por të jemi realist, Zabaletas dhe Silvinjos nuk i mungon asgjë. Unë përshembull nëse do të isha trajner i Shqipërisë, nuk do të lija jashtë tani dy lojtarë si Cekici dhe Odise Roshi, besoj se duhen në Kombëtare.

Trajneri ka vendosur që të shpërndahen disa mesazhe motivuese për lojtarët para takimeve. A do të ndikojë kjo tek ta apo të duket më tepër një spektakël mediatik?

Jo, Silvinjo ka treguar këtu që është psikolog dhe e di se ku çalon ekipi. Lojtarët mendojnë më shumë për veten se për Kombëtaren. Ky ka qenë problemi i Shqipërisë në këto vitet e fundit, edhe unë do ta kisha nisur si Silvinjo. Dua ta komplimentoj dhe ta përgëzoj që  e ka nisur kështu, me këmbë të mbarë.

Jasir Asani është një prej risive në listë. Çfarë pret nga ky futbollist?

Jasir Asanin e kam parë kur ishte te Partizani më shumë. Atje bënte diferencën, dallon mbi të tjerët nga ana teknike. Është super lojtar, uroj të jetë në formë të mirë fizike sepse kur ishte te Partizani i binin shumë bateritë kur vinin 20 minutat e fundit të ndeshjes.

Në Shqipëri ka shumë optimizëm nga ana e mediave dhe tifozëve para ndeshjes me Poloninë. A mund t’i dëmtojë lojtarët?

Nuk është diçka e re kjo. Gjithmonë para ndeshjes ne jemi euforik, është mentaliteti ynë që para çdo aktiviteti sportiv ne e mendojmë të fituar. Por kjo është e drejta e tifozëve, detyra e lojtarëve është tjetër gjë, nuk duhet të ndikohen fare nga tifozët. Një tifoz ka dëshirë të shpallemi kampion bote, problemi është se lojtarët nuk e kanë të mundur këtë gjë.

A mund të jetë kjo ndeshja e Myrto Uzunit?

Ka fituar besim të madh me golat që ka shënuar në Spanjë, La Liga 2 nuk është kampionat i lehtë. Po shënon gola, nga ana morale është mirë. Të kishte Brojën në krah do të ishte akomë më të mirë, të dy në formën e tyre më të mirë mund të bënin mrekulli. Broja? Ne të ngremë dhe të ulim shpejt. Është Mesi dhe nuk arriti dot i vetëm që ta shpallte Argjentinën si kampione bote. Broja mund të zgjidhi ndeshjen me aftësi individuale, por nuk mund të marrë dot Shqipërinë me vete dhe ta çoj diku. Trajneri duhet t’ia ngulis në mendje Brojës që në fillim të mendojë për Shqipërinë dhe pastaj për veten.

Si mendon se do ta paraqitet Kristjan Asllani me minutat e pakta që ka pasur te Interi?

Asllani ka potencial të madh, habitem se pse rri akoma te Interi me aq pak minuta sa merr. Do të ishte më mirë që të luante me një ekip më të vogël në Serinë A, por titullar. Është lojtar që punon shumë, nuk është egoist, vrapon shumë, ka ide të qartë. Sa i përket Shqipërisë, unë nuk shoh një lojtar që mund ta konkurroj Asllanin nga këta aktualët dhe t’i marrë vendin, nuk e kemi një të dytë për momentin.

Në fund, një parashikim, sa mendon se do të dali rezultati i Poloni-Shqipëri?

Nuk shquhem për parashikime shumë të mira, por po jap dy alternativa: “0-0 ose 1-1”, shënon Uzuni ose Cikalleshi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online