Armando Dobra do të shënonte një gol “alla Mesi” në ndeshjen e fundit të Ipswich U-23 ndaj Cardif U-23. Topin do ta merrte vetë dhe do ta dërgonte në rrjetë, me një aksion individual që i kalonte të gjithë kundërshtarët si të ishin vetëm piketa në fushë. Lojtari i Ipswich është gjithashtu pjesë e të rinjëve të Shqipërisë, por dëshira e tij është edhe më e madhe.
Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Dobra shpreh hapur dëshirën për t’iu bashkuar menjëherë Shqipërisë A. Padyshim që këtu flasim për një talent të klasit të lartë, që i ka të gjithë elementet për t’u bërë një lojtar i madh, megjithëse ka ende punë përpara duke parë moshën e tij, pasi është vetëm 19-vjeç.
Goli i fundit i shënuar kundër Cardiff U-23 në stilin “alla Messi”. Në rrjetet sociale po të përgëzojnë të gjithë. Çfarë të kanë thënë shokët e ekipit apo trajneri?
Ata më thanë mua që ishte një gol i pabesueshëm. Për mua ai rast i tregonte të gjitha gjërat e mira që unë mund të bëj në fushën e lojës.
Në lojën individuale shfaq aftësi shumë të mira, me driblimet dhe mënyrën si e kërkon portën kundërshtare. Në çfarë pike të veçantë e sheh që ke ende për të përmirësuar?
Unë mendoj se jam rritur fizikisht, por duhet që të rritem edhe më tepër dhe të jem më i fortë. Sigurisht që më duhet të kontrolloj edhe temperamentin tim, sepse mund të bëhem nervoz nëse jemi duke humbur dhe kjo ndikon në lojën time.
Mes të rinjëve dhe ekipit të parë. Futbollisti i Ipswich A, Fred Sears, ka thënë fjalët më të mira për ty. Kur do të shohim vetëm në skuadrën e parë?
Mirë, atëherë shpresojmë që këtë sezon ose në kampionatin e ardhshëm. Por mendoj se kjo është një zgjedhje që i takon trajnerit, që të më aktivizoj mua ose jo. Sa për mua, jam gati.
Vetëm 19-vjeç. Ku e sheh veten Armando sa i përket Kombëtares së Shqipërisë, pasi mund të përdoresh tek të rinjtë, apo kërkohet ndoshta edhe për Shqipërinë A?
Unë e shikoj veten time duke luajtur për ekipin e parë të Shqipëria, sepse mendoj që i kam shanset nëse vazhdoj kështu që të paraqitem mirë.
Një idhull që inspirohesh nga lojtarët europian dhe që kërkon ta zbatosh në lojën tënde, apo kemi të bëjmë me një Armando Dobra tërësisht origjinal?
Mesi është lojtari që unë e ndjek si shembull. Më pëlqen shumë mënyra sesi ai luan dhe them se është një nga më të mirët të të gjitha kohërave. /Sport Ekspres/
Puskas Award contender? ?pic.twitter.com/6c7xZo1Nyv
— Goal (@goal) March 9, 2020