Ekskluzive/ Sakrificë e paimagjinueshme për Shqipërinë! Babai luftonte me jetën, Ardianit nuk i thanë asgjë për Kombëtaren

  • Nga Klaudio Ndreca

Gjatë gjithë ditës së sotme si lajm kryesor i ditës ka qenë një skandal i ndodhur me autoritet në Kosovë të cilat nuk e kanë lejuar Ardian Ismajlin që të fluturojë nga Kosova drejt Italisë, atje ku do të firmoste me Spezian, pasi sipas tyre lojtari është pjesë e Shqipërisë dhe duhej të largohej sa më shpejt pasi në të kundërt do të arrestohej.

E gjitha kjo bëmë është pohuar nga ana e babait të futbollistit, Ilmi Ismajlit. Një çmenduri e madhe që ndodh nga futbolli kur shqiptarët po nisin unifikimin e tyre vetëm falë sportit. Por edhe çmenduri të tilla marrin kuptim për ata që e dinë mirë historinë e Ardianit për kohën që kaloi nga Kosova te Shqipëria, atje ku ka marrë reagimet më të ulëta dhe ka kaluar momentin më të vështirë në karrierë.

Por pyetja që lind: “Nëse Ismajli ishte në grumbullim në Shqipëri, përse nuk udhëtoi direkt drejt Italisë, nëse ishte kaq emergjente?”. Kjo periudhë nuk është aspak për të bërë pushime në shtëpi dhe që të kuptohej llogjikisht mbërritja në Kosovë. “Sport Ekspres” ka mësuar ekskluzivisht një sakrificë të paimagjinueshme që ka bërë familja e Ismajlit për ngjyrat kuqezi, që sigurisht të rrënqeth mishin.

Në datën 30 gusht babai i Ardianit, Ilmi Ismajli, ka pësuar një atak kardiak. Menjëherë do të bënte ndërhyrjen kirurgjikale ku fatmirësisht ka shpëtuar dhe tani gëzon shëndet të plotë. Por askush nga familja e Ismajlit nuk i tha Ardianit për atë që i kishte ndodhur babait të tij, pasi nuk donin që ta shqetësonin më tej lojtarin në një kohë që ishte i grumbulluar për ndeshjet e Shqipërisë.

Menjëherë pasi është mbyllur ndeshja me Lituaninë do t’i rrëfehej gjithçka Ardianit, i cili ka këmbëngulur për të shkuar të paktën 1 natë në Kosovë që të shihte babain, pasi edhe në këtë moment familja i kërkoi që t’i jepte përparësi karrierës për t’u nisur nga Shqipëria dhe për të firmosur direkt në Itali, atje ku e priste Spezia. Ky ishte shansi i karrierës në fakt për Ardianin që po e kërkonte prej kohësh, ndërsa vonesat mund t’i prishnin të gjitha planet për të qenë pjesë e Serisë A.

E teksa do të largohej nga Kosova drejt Italisë, mbërrijmë te ngjarja që tanimë ka marrë jehonë në të gjitha mediat dhe nuk kërkon më tepër koment. Ndërsa nga ana tjetër e gjitha kjo sakrificë e paimagjinueshme duhet të shërbejë si një turp dhe skuqje e faqeve për cilindo lojtar të Kombëtares dhe familjen e tij që vendos egon e sëmurë dhe dëshirat personale përpara fanellës së përfaqësimit të kombit. Ky është një shembull, që sado drithëron, tregon qartësisht se për Shqipërinë ka edhe sakrifica të këtij lloji. Një djalë dhe lojtar i mirë rrjedh nga familje të shkëlqyera, gjithmonë… /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *