Kukësi-Laçi ishte një nga ndeshjet që priteshin me më shumë interes në javën e tretë të Superiores. E mbyllur në rezultatin 1-1 në “Loro Boriçi”, shumë polemika u hapën edhe për një penallti të paakorduar që shihte si protagonist Rrocën.
Ky i fundit u pengua pastër nga kundërshtari brenda zonës, por gabimi i arbitrave bëri që loja të vazhdonte. Pjesa tjetër nuk ka shumë për të diskutuar rreth arbitrimit, ndërsa dy gola të bukur nga Nuabueze dhe Musta do të përmbyllin historinë e 90 minutave.
Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Rroca shprehet se arbitrat e kanë pranuar gabimin e tyre në fundin e ndeshjes.
Pjesa e parë ka qenë jashtë nivelit të kërkuar nga të dyja ekipet. Ndikuan temperaturat e larta të motit, apo ato të ftohtat që vinin nga tribuna me pak të pranishëm?
Pjesa e parë nuk ishte në nivel të kënaqshëm, pasi temperaturat e larta nuk e favorizonin një lojë të tillë. E kishim të vështirë edhe ne të shpreheshim në fushë, gjithsesi për mendimin tim ishte në nivel mbi mesataren. Kishte raste nga të dyja ekipet dhe një penallti të paakorduar për ne.
Sa i përket penalltisë së paakorduar, a ke diskutuar me anësorin në përfundimin e ndeshjes? Kishte një pamje shumë herë më të qartë se kryesori.
Po është e vërtetë që komunikova me arbitrat në përfundimin e ndeshjes. Më komunikuan se ishte një penallti dhe se kishin gabuar që nuk e kishin dhënë. Nuk e kuptoj se përse nuk e dhanë në atë moment, kishin qenë në dyshime. Sigurisht që ky episod ndikoi në rezultat. Kjo është e shkuara tani, të shohim ndeshjet e tjera dhe arbitrat nuk duhet të na penalizojnë më.
Ndërkohë futbollisti i Laçit nuk e pranoi në ato momente se kishte kontakt brenda zone. Në fundin e ndeshjes, e ndryshoi mendimin?
Normalisht, të gjithë e kanë të vështirë që ta pranojnë se shkaktuan penallti. Ashtu veproi edhe futbollisti i Laçit, duke thënë se nuk ishte penallti, pasi mendoi se nuk kishte kontakt. Shpresoj të ketë ndryshuar mendim kur ka parë pamjet filmike.
Është ende herët për të folur për pretendentët për titullin kampion, por fakt është se Flamurtari dhe Luftëtari kanë prekur fundin. I sheh vetëm përkohësisht aty, apo rrezikojnë seriozisht?
Sa i përket luftës për titull, janë në garë 4-5 ekipe dhe kur të mbyllen dy fazat e para do të ndahen më mirë gjërat. Luftëtari dhe Flamurtari duhet të largohen nga ato pozita ku ndodhen, nuk duhet të jenë aty. Flamurtari për gjithë historinë e madhe që ka, ndërsa Luftëtari nuk dua ta shoh në ato pozita për atë që i ka dhënë Superiore në këto vite dhe për atë që më ka dhënë mua për vitet që kalova. /Sport Ekspres/