Ekskluzive/ Rrëfimi i Igli Allmuçës: Dinamo mund të ishte shkrirë, ja e vërteta e Jordanisë me Gegën

Emri i Igli Allmuçës është i lidhur ngushtësisht me ekipin e Dinamos. Atje do të niste dhe do e mbyllte aventurën si futbollist, për t’i dhënë jetë një profili të ri, atij të trajnerit. Pra i ka dhënë dhe i ka marrë gjithçka nga emocionet kësaj skuadre, që aktualisht nuk ndodhet në momente të mira në Kategorinë e Parë.

Pak ditë më parë ka ardhur edhe largimi i tij si trajneri i Dinamos. Mes problemeve nga më të ndryshmet, Allmuça nuk mund të bënte më tepër në rezultatet e kampionatit. Megjithatë, pavarësisht largimit pati një përshendetje “mes duartrokitjeve” me tifozët, që e vlerësojnë për gjithë kontributin e dhënë në këto vite. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Allmuça tregon për këtë situatë të vështirë të Dinamos dhe për një projekt të ri që është përfolur kaq shumë, që e dërgon në Jordani me Skënder Gegën.

Sa i përket largimit te Dinamo. Në fillim u përfol për një dorëheqje që nuk u pranua fillimisht, por pas pak ditësh. Si qendron e vërteta në këtë rast?

Gjëra normale që ndodhin në futboll. Ekipi i Dinamos është i lidhur ngushtësisht me mua. E kam nisur futbollin me të. Me këtë skuadër kam luajtur 4 vite të suksesshme, duke fituar 2 tituj kampion. Me këtë skuadër e lashë futbollin dhe aty e nisa rrugën e trajnerit. Falenderimet shkojnë për administratorin Ismet Saliaj që ka qenë gjatë gjithë kësaj kohe me mua.

Ku ka qenë vështirësia më e madhe për të mbajtur ekipin?

Po ne me shumë sakrifica dhe 1001 probleme kemi mbijetuar. Mos harroni që përballë kishim ekipet e bashkive, që në kohë zgjedhjesh futen dhe shumë fuqishëm madje. Dinamo ka 8 vite në Kategorinë e Parë dhe për mendimin tim mund të ishte shkrirë. Nëse do të ishte një tjetër administrator do të ishte dorëzuar dhe Dinamo do ishte shkrirë si volejbolli apo basketbolli, por ky sport mbahet gjallë.

Kush kanë qenë njerëzit e tjerë që e kanë ndihmuar klubin përgjatë kësaj kohe?

E kanë ndihmuar skuadrën edhe vëllezërit Nuri nga ana financiare. Ata nuk kanë dashur që të duken dhe të dalin në skenë. Kanë treguar një anë njerëzore shumë fisnike. Madje edhe në këtë sezon që ka shumë vështirësi ekonomike, na janë përgjigjur për bazën sa i përket grumbullimeve dhe stërvitjes apo anës financiare. Dy dashamirësit e vërtetë të kësaj skuadre dhe njëkohësisht mbështetje e madhe për administratorin Saliaj.

Sa i përket tifozëve të Dinamos. Dhe kur je larguar ka qenë përshendetje mes falenderimeve…

E vërtetë, dua t’i falenderoj veçanërisht “Blue Boys”. Na kanë përkrahur në çdo situatë të vështirë dhe uroj që të shkojnë në ato nivele ku i takojnë, pasi e meritojnë. Uroj më të mirën për ekipin. Që kur isha futbollist isha i preferuari i tyre.

Një thirrje apo një mesazh për ta në këto momente?

I bëj thirrje të vazhdojnë të përkrahin ekipin. Kjo sepse trajneri i huaj ka nevojë për ngrohtësi. Unë kam biseduar me të dhe i kam dhënë informacioneve mbi ekipin duke treguar profesionalizmin tim dhe që ta ketë disi më të lehtë.

Në orët e fundit është përfolur për një projekt me Skënder Gegën në Jordani. E vërtetë është kjo që është publikuar në media?

Në kuadrin e fjalëve, ka diçka reale, por jo e konkretizuar. Do shohim në vazhdim sesi do të rrjedhë situata. /Sport Ekspres/