Tre javët e para të Superiores janë mbyllur dhe tifozët kanë parë më mirë sa i përket ekipeve shqiptare dhe pretendimet që këto të fundit kanë për sezonin e ri. Shumë pak kohë sigurisht, por një mendim është krijuar rreth asaj që do të shohim për vazhdimësinë.
Gjithashtu edhe sa i përket merkatos, nëse u kryen lëvizjet e duhura ose jo, teksa shumë futbollistë të njohur për tifozët shqiptarë, kanë zgjedhur të rikthehen në Shqipëri.
Në një intervistë për “Sport Ekspres”, trajneri i njohur në Shqipëri dhe që ka një karrierë të pasur, Ernest Gjoka, ka dhënë një mendim rreth kampionatit të Superiores, mënyrës sesi po shkon nisja e sezonit, por edhe ka folur mbi rëndësinë që kanë tifozët në stadium.
Mbyllen tre javët e para të Superiores. Në pak fjalë, çfarë u veçuan sa i përket formës së skuadrave? Do të vazhdoj e njëjta luftë me këto ekipe sa i përket titullit kampion, apo Luftëtari dhe Flamurtari që mes shumë problemeve, enden për mbijetesë?
Kampionati sapo ka filluar dhe fillimi në këto javë ka treguar se do të jetë garë e fortë për titullin dhe Kupat e Europës. Skuadrat akoma nuk kanë ardhur në formën më të mirë. Gjithsesi, në këto tre javë janë munduar për ta dhënë më të mirën. Në garën për titull janë disa skuadra si Tirana, Partizani, Kukësi, Teuta sigurisht, por pa harruar edhe Skënderbeun me Laçin. Kurse lufta për zonën e ftohtë do të ketë edhe ajo shumë vëmendje, do të jetë e fortë. Me shumë probleme shikoj Flamurtarin dhe Luftëtarin.
Sa i përket Kukësit, e keni drejtuar edhe vetë më parë. Populli thotë se “dy gjela në një kotec nuk qëndrojnë”. Si do e menaxhoje rastin Abazaj dhe Gavazaj. A do të kishte ky i fundit më shumë përparësi për momentin?
Unë mendoj që për të dy futbollistët ardhja te Kukësi ishte një mundësi për t’u ringritur, për të gjetur formën dhe ritmin e humbur në eksperiencën jashtë Shqipërisë. Ata do të bëjnë gjithçka që të spikasin në kampionat dhe të largohen sërish jashtë Shqipërisë. Këtë gjë do ta shfrytëzoj më së miri Kukësi. Ata janë lojtarë shumë cilësorë dhe që duhet t’i merret maksimumi.
Skuadrat e kryeqytetit janë duke u kthyer në majat më të larta, pasi e kanë zbuluar formulën e mbrojtjes së fortë. Tirana bind, por Partizani me idenë e një goli më shumë se kundërshtari, madje saktësisht 1-0, deri ku shkon me Lerdën?
Shumë e mirë për të gjithë futbollin tonë që Tirana po tregon ambiciet për trofe. Partizani dihet që gjithmonë lufton. Tirana ka bërë një skuadër me lojtarë cilësor, që e njohin mirë kampionatin shqiptar. Por kjo nuk mjafton për ta bërë të suksesshëm, nëse nuk sakrifikojnë së bashku për të arritur suksesin. Duhet shumë qetësi, durim dhe mbështetje nga dashamirësit e tyre.
Paragjykimet e garës që në javën e tretë, duket e tepërt. Pyetja është, a mos duhet të heshtet dhe të punohet më shumë? Pasi realisht, niveli nuk është më i miri i mundshmi që tregohet në fushë.
Gara do të paragjykohet për gjatë gjithë vitit sepse gjithmonë do të ketë klube që për një arsye ose një tjetër, do të hapin polemika. Tashmë nisi herët, por nuk është e mirë pasi gara kthehet në rrugën agresive dhe kjo i bën keq kampionatit tonë.
Si mund t’i bind një klub tifozët që kthehen në stadium në numër të lartë, kur gjatë gjithë kohës ka vetëm ankesa për garën. Pra, përse të gjendet një tifoz i thjesht në shkallët e stadiumit pas asaj që dëgjon nga vetë protagonistët?
Kjo është edhe do të jetë një luftë midis klubeve dhe tifozëve, sepse tifozat duan spektakël dhe fitore. Duan gjithçka, por ne nuk mund t’i garantojmë spektakël. Futbolli ka shumë nevojë për tifozët sepse sipas meje ardhja e tifozëve në stadiumet tona është si ai mjekimi i të sëmurit në reanimacion, që kur mjekimi bëhet mirë, atëherë i sëmuri kthehet edhe më i fortë.
Gjithmonë i apasionuar pas taktikave dhe moduleve që përdorin trajnerët më të mirë në Europë.
Kjo punë që unë bëj nëse nuk je në çdo moment në kërkim të ndryshimeve, që bëhen çdo vit në futboll, ngelesh mbrapa. Futbollit po zhvillohet me ritma të shpejta në të gjitha komponentët, sidomos fizik, psikologjik dhe taktik. /Sport Ekspres/