Të gjithë e kemi dëgjuar Qazim Laçin që prej disa vitesh më parë. Megjithëse ky futbollist është vetëm 23-vjeç aktualisht, jehona për talentin e tij ka bërë zhurmë të madhe prej kohësh.
Kjo pasi në Shpresat e kuqezinjëve, gjendej një lojtar që dallonte nga të tjerët. Luante me akademinë e Olimpiakosit në Greqi dhe nuk e kishim një luks të tillë, me futbollistë që përgatiteshin në elitat e futbollit europian.
Sidomos kur bëhet fjalë për akademinë, ku ajo e Olimpiakosit spikat në Europë. Pak heshtje për t’u ringritur dhe Laçi po rikthehet “frikshëm” në sezonin e ri. Me Ajaccion ka si objektiv ngjitjen në “Ligue 1”, ndërsa po luan si titullar dhe ndodhen në vendet e para të renditjes.
Fantazia dhe pasimet e kalibruara janë pika më e fortë e këtij futbollisti, që gjithë “trurin” e tij mund ta përdor te Kombëtarja A. Nëse vazhdon në këtë formë, atëherë ftesa do të ishte vetëm një procedurë formale për t’u mbyllur. “Sport Ekspres” ka kontaktuar menjëherë pas ndeshjes së sotme Qazim Laçin, ku ishte sërish si protagonist me Ajacion në fitoren 2-0 ndaj Valencienes.
E nise nga Olimpiakosi. Sa shumë të ndihmoi kjo përgatitje në futbollin grek?
Sigurisht që rruga ishte shumë e vështirë. Kam qendruar 10 vite te akademia e Olimpiakosit. E njohim të gjithë, është më e mira në Greqi dhe një nga më të mirat në Europë. Të rrish çdo vit dhe të rritesh atje është një përgatitje e duhur. Pa harruar edhe presionin që kishim, pasi atje ndërroheshin lojtarët gjatë çdo viti. Por kam qëndruar dhe përmirësuar veten në shumë aspekte, ndërsa tani po i tregoj vlerat në një tjetër kampionat të fortë, pasi edhe këtu në Francë nuk është e lehtë.
Te Ajaccio ke qenë titullar i padiskutueshëm. Si po shkon sezoni i ri dhe si është marrëdhënia me trajnerin?
Nga ndeshjet që ka parë, trajneri më ka dhënë më shumë besim. Unë në çdo takim po jap 100% tim. Kam dy-tre vite këtu dhe në fillim nuk i kisha këto hapësira. Tani jam titullar në çdo ndeshje. Kjo do të thotë se e kam besimin e trajnerit dhe dua të vazhdoj në këtë mënyrë.
Sot (dje) ke dhënë një krosim perfekt. Do më shumë golin, apo mjafton edhe protagonist në këtë mënyrë?
Të dyja kanë vlerë të madhe. Të dyja kanë vlerën që ndihmon skuadrën për të fituar. Kjo ka rëndësi, të marrim tre pikët dhe të fitojmë. Pastaj është tjetër gjë kush shënon dhe i bën golat. Sigurisht që kur realizon vetë është më mirë, por edhe me një pasim, ka vlerë të madhe.
Po ringrihesh sërish në nivel të lartë. Sinqerisht, e pres ftesën nga Shqipëria në këtë moment?
Nuk dua të flas shumë, nuk e kam bërë kurrë, pasi mundohem që këtë gjë ta bëj në fushë. Ftesa nga Shqipëria? E mirëpres nga zemra, kurdo që të vijë, me gëzimin më të madh. Unë mbaj mend kur më vinin ftesat nga moshat e Shqipërisë atëherë, fluturoja nga gëzimi që do i bashkohesha Kombëtares.
I ke ndjekur ndeshjet e Kombëtares tonë së fundmi?
Po, po! Sigurisht që i kam ndjekur. Madje në përballjen ndaj Francës isha në stadium për ta parë më nga afër atë takimin me disa shokë. Tani shpresoj se në ndeshjen tjetër, në nëntor, të kem mundësinë që të grumbullohem.
Ka prurje të reja në mesfushë…
Po nuk ka rëndësi nëse luan apo jo. E rëndësishme është të jesh te Shqipëria, është një kënaqësi shumë e madhe. Pastaj te Kombëtarja ka lojtarë që luajnë në ligat më të forta në Europë, sepse ne shqiptarët jemi shpërndarë në vende të ndryshme.
Pra, “Ligue 1” dhe Kombëtarja janë ëndrrat e Qazim Laçit?
Patjetër që po. Ky është edhe objektivi i klubit. Te Ajacio ka edhe transferime që kryhen, me lojtarë që largohen pas një viti. Ndonjëherë edhe trajneri më pyet më shaka: “Po ti do të ikësh?”. Dua të qendroj këtu dhe të arrijmë sa më lartë, pasi jemi në vendet e para deri tani. Pastaj e shpresoj shumë edhe atë ftesën e Kombëtares. /Sport Ekspres/