Nga Klaudio Ndreca
Shqipëria do të përballet në mbrëmjen e nesërme ndaj Polonisë në takimin e vlefshëm për kualifikueset e Botërorit. Kuqezinjtë kanë gjithë vëmendjen pasi ka shumë cilësi në organikën e Rejës, madje më shumë se kurrë. Por a është kjo Kombëtarja më e mirë që kemi pasur duke u bazuar në emrat e klubeve ku luajnë futbollistët?
Përgjigja e Altin Lalës në intervistën e dhënë për “Sport Ekspres” ishte shumë e qartë. Barometri është padyshim kualifikimi në Europian ose Botëror. Mbetet të shihet nëse kjo gjeneratë e re premtuese mund të arrijë që të shkruajë historinë dhe me prezantimin e saj të firmosi emërtimin: “Më të mirët”.
Gjithmonë kemi folur për një yll botëror dhe vera i nxehu jo pak tifozët shqiptarë. Rei Manaj po stërvitej te Barcelona e Koeman dhe Armando Broja te Chelsea i Tuchel. Të dy lojtarët janë dërguar në huazim respektivisht te Spezia dhe Southampton. Në lidhje me këtë diskutim, Lala kërkon pikësëpari të hiqet inferioriteti. Ylli i Shqipërisë mund të ketë lindur, ndoshta mund të duhet pak kohë për ta parë.
Duke parë organikën dhe ekipet ku luajnë, a është kjo Kombëtarja më e mirë që ka pasur Shqipëria në histori?
Shiko, unë mendoj se Shqipëria ka shumë cilësi tani dhe shpresë për të ardhmen pasi futbollistët janë të rinj në moshë dhe me nivel. Të rinjtë tanë premtojnë shumë për të ardhmen. A është kjo Kombëtarja më e mirë në histori? Do ta shohim nëse kalon në Europian ose Botëror. Vetëm kështu vërtetohet me suksesin e gjeneratës, si arritëm në Francë.
Për të kaluar te emrat e përveçëm. Bushi tha se me Manajn nis ndeshja 1-0. Do ta dëshmojë edhe në fushën e lojës ky futbollist që është stërvitur te Barcelona?
Shpresoj shumë që të jetë kështu dhe të shënojë. Kjo është detyra e sulmuesit në fakt, megjithëse me Kombëtaren nuk është asnjëherë e lehtë për të gjithë. Mua nuk më pëlqejnë deklaratat përpara se të zhvillohet ngjarja, nuk i preferoj shumë.
Do të vijë koha që Shqipëria të ketë një yll botëror? Në verë kishim Armando Brojën te Chelsea dhe Manajn te Barcelona, por të dy lojtarët janë huazuar te Spezia dhe Southampton. Apo duhet të mbahemi ende me forcën e grupit si gjithmonë?
Atë jemi duke pritur të gjithë tani. Ka gjithmonë një herë të parë dhe dikush do të dali edhe nga ne që të luajë te ekipet më të mira të botës. Pra jo vetëm që të shkojë atje, por edhe të luajë në formacion titullar. E kanë arritur kroatët me 4 milionë banorë, përse mos ta arrijmë edhe ne? Por sigurisht që të vijë ky yll botëror, duhet të jetë lindur dhe formuar te ai ekipi i madh ku do të dali dhe të shfaqet. Ndoshta ka lindur aty edhe tani që flasim, duhet të presim sa të formohet që ta shohim. Por le të heqim kompleksin fillimisht që të tjerët janë të mëdhenj dhe t’i shohim me atë sy.
Aliaj u shpreh se Myrto Uzuni nuk po merret seriozisht nga Reja. Ndan dhe ti të njëjtin mendim apo jo?
Uzuni luan me Ferencvaros, ka qenë në formë shumë të mirë. Lojtarët e Kombëtares që janë në formë duhet të kenë prioritet. Kjo praktikohet në Gjermani, pra çfarëdo emri që të kesh ti, duhet të japësh rendimentin më të lartë që të aktivizohesh. Lojtar nuk bëhesh në Kombëtare, por vetëm në klub. Te Kombëtarja ka shumë pak kohë dhe stërvitje para ndeshjes, ndërsa në klub formohesh gjithë kohën. Por unë mendoj se Reja ka eksperiencë të madhe, është njeri pozitiv dhe nuk ka asgjë personale me Myrto Uzunin përveç pjesës taktike dhe skemave të tij.
Porta është një problem i madh. Strakosha dhe Berisha nuk janë më zgjedhje të para në ekipet e tyre. Reja duhet t’i besojë me patjetër njërit prej tyre apo duhet të kalojë te Selmani?
Të tre janë portierë shumë të mirë. Mund t’i jepet edhe shansi Selmanit, ka të ardhmen përpara. Por nga ana tjetër Strakosha dhe Berisha janë shumë stabil. Nuk e di këtë pjesë, është detyra e Rejës.
Të gjithë po flasin për Nedim Bajramin. E ke ndjekur këtë futbollist dhe sa cilësi i shton Kombëtares?
E kam parë në disa ndeshje Bajramin, e kam ndjekur pasi është lojtar shqiptar. Ka kualitete shumë të mira, është fantazist dhe ka shumë cilësi. Reja e ka në skemat dhe idetë e tij, nuk e di nëse do ta fus në formacion menjëherë, por ka këmbëngulur shumë për të dhe do ta shohim. /Sport Ekspres/