Ekskluzive/ “Polonia nuk duhej të na binte”, Rraklli komenton shortin: Por mos të qahemi, ja sesi i ndëshkojmë…

Shqipëria i ka njohur kundërshtarët e saj sa i përket kualifikueseve të Botërorit, atje ku do të provojë shanset kundër Anglisë, Polonisë dhe Hungarisë. Në letër është thuajse një mision i paarritshëm që kuqezinjtë të marrin vendin e dytë, por Europiani i Francës tregoi se asgjë nuk është e pamundur.

Sport Ekspres” ka kontaktuar me ikonën e Kombëtares së Shqipërisë, Altin Rrakllin, që ka dhënë kontributin e tij të çmueshëm për shumë vite me fanellën kuqezi. Tani i ndodhur jashtë Shqipërisë për angazhimet dhe vendin ku jeton, nuk ngurron asnjëherë që të japi këshillën e tij vetëm për të mirën e Kombëtares.

“Shqipëria nuk ka pasur shumë fat në short pasi na kanë rënë thuajse më të vështirat në çdo vazo, përfshirë këtu Anglinë, Poloninë dhe Hungarinë. Këto janë ekipe shumë të forta. Mund të na kishin rënë kundërshtarë edhe më të lehtë, por mos të qahemi. FSHF dhe Reja duhet të përcaktojnë objektivat e tyre për këtë kualifikuese. Sigurisht që me këta kundërshtarë do të jetë e vështirë që të arrihet objektivi për t’u kualifikuar në Botëror, nëse do të vendoset një i tillë.

Asgjë nuk është e pamundur dhe duke përjashtuar Anglinë, që është absolute në forcën e saj, Polonia dhe Hungaria kanë difektet e tyre. Në një ditë të mirë për ne dhe në një ditë të keqe për ata mund të marrim pikët e duhura, që përse jo t’i zëmë vendin, për të marrë vendin e dytë. Megjithatë për mendimin tim personal, nëse do të lëmë pas Hungarinë dhe dalim në vendin e tretë të grupit do të ishte sukses shumë i madh”, u shpreh Raklli.

I pyetur më veçanërisht mbi rivalitetin e Shqipërisë me Poloninë, duke parë edhe sigurinë që ofrohen në mbrojtje Kumbulla-Gjimshiti-Ismajli, lojtarë që luajnë në nivelet e larta të Serisë A, Rraklli ka përfunduar:

“Për mua pikërisht Polonia ishte Kombëtarja që nuk duhej të na binte, duhej të evitohej nga vazo e dytë. Unë e ndjek jo vetëm nga Lewandowski këtë Kombëtare, por se ka shumë lojtarë që luajnë në Bundesligën e Gjermanisë. Është një ekip shumë i vështirë për t’u mundur dhe Kombëtaret e mëdha janë munduar shumë ndaj Polonisë. Megjithatë futbolli ka ardhur në një ditë që një ekip mund të fitojë nëse është 100% i përqendruar, ka fatin me vete dhe skuadra kundërshtare nuk ndodhet në një ditë të mirë, dhe nuk ka përqendrimin maksimal. Pastaj që nëse ndodh një kombinim i tillë mund t’i ndëshkojmë”, ka thënë Rraklli. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *