Nga Klaudio Ndreca
Armando Broja është djaloshi shqiptar që ka rrëmbyer të gjithë zemrat e tifozëve kuqezi. Shpejtësi, driblim dhe nuhatje fantastike për gjetjen e rrjetës. Një lojtar i kompletuar që është i aftë për të zgjidhur ndeshjen i vetëm. Gëzimi është i dyfishtë kur sheh sesi Broja po ia del për mrekulli edhe në kampionatin më të fortë në botë, në “Premier League”.
Vlerësimet maksimale për këtë sulmues kanë ardhur gjithmonë nga trajneri i Shpresave, Alban Bushi. Menjëherë pas golit të shënuar kundër Totenhem, Bushi tregon bindjen e tij për “Sport Ekspres” : “Nëse do të ishte norvegjez, sot do të kushtonte 200 milionë euro. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të kushtojë aq pas disa vitesh”, shprehet Bushi.
Pra një krahasim që ne e kemi bërë edhe më herët, si “Halandi shqiptar”. Sigurisht që versioni ynë do ta kalojë edhe atë norvegjez pasi po dëshmon veten në “Premier League”, për të treguar të gjithë potencialin që zotëron. Zemrat e tifozëve të Southampton do t’i gëzojë për pak kohë, zemrat e tifozëve të Shqipërisë do t’i ngrohë përjetësisht. /Sport Ekspres/