Nga Klaudio Ndreca
Një sezon fantastik ka zhvilluar Eduart Rroca me ekipin e Instabulsporit në Turqi. Kjo skuadër është një nga pretendentet për t’u ngjitur në elitën e futbollit turk, ndërsa performanca e mesfushorit shqiptar nuk ka kaluar pa fituar interesimin e ekipeve të tjera që janë pjesë e më të mirave në këtë vend.
Emrat e klubeve nuk bëhet ende të ditura pasi Rroca është në kontratë me Instabulspori dhe nuk kërkon që të zbulojë më tepër. “Sport Ekspres” ka intervistuar futbollistin që na konfirmon se nuk do të jetë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë për ndeshjet e marsit pasi nuk e ka marrë ftesën e Rejës.
Megjithatë Rroca na tregon edhe batutën e shokëve të ekipit që i kanë thënë se nëse do të ishte lojtar turk, atëherë do ta kishte marrë ftesën e Kombëtares së Turqisë. Kjo lidhet me faktin se Turqia ka marrë dy lojtar nga Instabulspori përpara dy sezonesh, atëherë kur kjo skuadër gjendej në mesin e tabelës së Ligës së Parë.
Instabulspori po kalon disa luhatje me formën në kampionat. Si është gjendja në aspektin psikologjik te ekipi dhe besoni se do të riktheheni te fitoret radhazi, si më parë?
Po është e vërtetë që kemi pasur disa luhatje në këto përballje të fundit. Duke hequr ndeshjen e fundit që nuk ishim në lartësinë e duhur, në pjesën tjetër nuk kemi pasur fatin në anën tonë. Performanca jonë ka qenë e mirë. Gjendja psikologjike është e duhura dhe deri në fund duhet të arrijmë objektivin. Minimumi është që të arrijmë “Play-Offin” dhe kalendarin e kemi në favor tani.
Javët e kampionatit po shkojnë drejt fundit. E ka Instabulspori vërtet cilësinë për të kapur dy vendet e para dhe për të mbërritur pa “Play-Off” në elitë?
Cilësitë si ekip i kemi për të mbërritur në dy vendet e para. Gjithçka do të varet nga këto tre ndeshjet e radhës që i kemi me kundërshtarët direkt. Atje do të mësojmë nëse do të ngjitemi direkt apo do të shkojmë nëpërmjet “Play-Off”.
Vuajtjet e Kristal Abazajt që nuk po shënon dhe ambientimi i Et’hemit. Çfarë ndodh me dy lojtarët e tjerë shqiptarë?
Abazaj dhe Et’hemi janë shumë cilësorë, i njohim aftësitë e tyre. Et’hemi kishte një kohë të gjatë pa luajtur, kishte pak vështirësi në ambientim. Ndërsa Abazaj ka pasur dëmtime të vogla që nuk e kanë lënë që të jetë në formën optimale.
Ka pasur interesime gjatë kësaj kohe nga ekipe të elitës në Turqi pas këtij sezoni fantastik?
Interesimi gjatë kësaj periudhe ka qenë shumë i madh. Shumë ekipe kanë kontaktuar klubin. Unë dua që të ngjitem në elitë me Instabulin. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të ulem në tavolinë me presidentin dhe do të marrim vendimin tonë pasi ka pasur interesime.
Po afrojnë ndeshjet e Kombëtares së Shqipërisë. E ke marrë ftesën?
Nuk e kam marrë ftesën e Kombëtares.
Çfarë të kanë thënë shokët e ekipit ose drejtuesit ndoshta, e prisnin që të thirreshe nga Kombëtarja?
Në fakt kur bie fjala te Kombëtarja, shokët e ekipit më kanë thënë me shaka se nëse do të isha lojtar turk, do e kisha marrë ftesën nga Kombëtarja e Turqisë.
A të duket i drejtë vendimi nga ana e trajnerit Reja?
Nuk jam unë ai që vlerëson vendimin e trajnerit. Ka stafin profesionist dhe zgjedhin lojtarët më të mirë në bazë të skemave që do të përdorin në këto ndeshje. Jemi në një kapitull të ri për fazën e kualifikueseve të Botërorit. I kanë vetë në dorë gjërat dhe kanë bërë zgjedhjet e tyre. Nëse ishte i drejtë apo jo vendimi, këtë le ta gjykojnë të tjerët. Secili prej nesh kërkon që të jetë pjesë e Kombëtares. /Sport Ekspres/
suksese sa me lart pac