Nga Klaudio Ndreca
Nëse ekzistonte një futbollist në krahun e Shqipërisë që dukej se kishte ngatërruar fanellën dhe fare mirë mund t’i rrinte përshtat ajo e Anglisë, ishte pikërisht Berat Gjimshiti. Sigurisht që edhe Elseid Hysaj la përshtypje të mirë për shkakun se u transformua në “Air Albania”, por në çdo top që largohej në qendrën e zonës kishte vetëm një shpëtimtar.
Asgjë e ardhur në mënyrë surprizuese dhe gjithçka në bazë të llogjikës. Lojtari më i mirë në klubet respektive ku luajnë futbollistët tanë dhe lojtari më i mirë i Kombëtares. Për shumëkënd Atalanta cilësohet si ekipi me futbollin më të bukur në Itali, ndërsa Gjimshiti është titullari i padiskutueshëm.
Në kohët e fundit ka arritur që të fus “në xhep” futbollistë si Romelu Lukaku apo Kristiano Ronaldo. Por kulmi i mbrojtësit tonë nuk është arritur ende. “Sport Ekspres” ka mësuar nga burime të sigurta se Berat Gjimshiti mund të kalojë te Chelsea në merkaton e verës.
Për këtë transferim është duke u angazhuar shumë Fali Ramadani, menaxheri i njohur shqiptar që shpeshherë kthehet në funksionon e negociatorit. Ramadani ka mbyllur me sukses zgjidhjen e kontratës së Sarrit te Chelsea, teksa asokohe trajneri i njohur do të kalonte për të drejtuar Juventusin. Gjithashtu transferimi i Jovic te Reali i Madridit dhe një sërë transferimesh ndër ekipet më të njohura në Europë mbajnë firmën e Ramadanit.
Këtë herë po punohet për të transferuar Gjimshitin te Chelsea në “Premier League” me interesimin që ka ardhur prej disa kohësh pas shkëlqimit me Atalantën. Në të njëjtën kohë ka edhe një interesim nga ana e Manchester United, por duket se Chelsea është më përpara për të gjetur gjuhën e marrëveshjes, me informacionin që deri në këto momente po ruhej në mënyrë sekrete. /Sport Ekspres/