Nga Klaudio Ndreca
Luftëtari është mundur thellë dhe me rezultatin 8-1 ndaj Partizanit. Një humbje e rëndë kjo për bluzinjtë që kanë firmosur matematikisht edhe rënien në Kategorinë e Parë. Por në përfundimin e një sezoni plot dështime, ekipi që ka nxjerrë gjithmonë futbollistë me kualitete të mëdha, nuk mund të qëndronte pa e shpalosur edhe një tjetër element.
Flasim këtu për Griseld Likën, që është një prodhim i Partizanit në hapat e parë, por të kuqtë nuk i besuan më tej dhe ishte Luftëtari vendi ku u shpalosën vlerat. Golat nga goditjet e dënimit po vijnë shpeshherë nga Lika, teksa në një intervistë për “Sport Ekspres” na tregon se punon shumë në stërvitje për të përmirësuar këtë pjesë. Një yll që shndërrin edhe në një qiell “të vrenjtur”, për të bërë diferencën.
Atëherë humbja e fundit e Partizanit me shifrat 8-1. A mos ndoshta ishte e tepruar edhe nga ana e kundërshtarit vazhdimi me shënimin e golave kur Luftëtari ishte i dorëzuar dhe kishte ngritur flamurin e bardhë, apo ishte e gjitha një shthurje e cila nuk duhej të ndodhte nga ana juaj?
Kishim një kundërshtar mjaft të vështirë si Partizani, që edhe pse ka pasur luhatje, për mua është njga nga ekipet më të mira në Shqipëri. Por dalja e Hysenit me të kuq na penalizoi shumë sepse është një nga lojtarët më të mirë të ekipit. Pastaj edhe mungesa e eksperiencës te ne ndikoj te rezultati.
Çfarë ju tha trajneri në përfundimin e kësaj ndeshje?
Trajneri na ka thënë gjithmonë që të luajmë dhe të japim maksimumin për veten, se tani nuk kemi se çfarë të humbim. Jemi të gjithë djemë të rinjë dhe na ka dhënë një shans të artë që të luajmë në Superiorel. Pas ndeshjes trajneri ishte i mërzitur, normale, po duke e ditur që jemi të gjithë djemë të rinjë dhe ishim me kartonin e kuq të kapitenit, na tha që të ulim kokën dhe të ecim përpara. Mendja jonë është tek viti tjetër që të ngremë sërish Luftëtarin në Superiore.
Për të vazhduar me atë perlën nga goditja e dënimit. Çfarë ndjeve në atë moment, ndërsa kishte edhe dy sekonda hezitim, derisa arbitri vendosi që ta quante?
Ato nuk janë aspak rastësi, pasi punoj shumë në stërvitje si dhe pas saj. Praktikohem shumë me goditjet e dënimit dhe pse kam akoma nevojë për përmirësime.
Nisur nga ndeshjet që ke bërë në këtë sezon, tifozët e Partizanit të duan në skuadër. Po Lika, a e do një rikthim te kjo skuadër?
Po e kam dëgjuar që tifozët më duan, Partizani është shtëpia ime, ekipi ku unë jam rritur dhe formuar si lojtar. Por të ardhmen time e di vetëm Luftëtari dhe menaxheri im.
Klubi më i fortë që je përballur në fushën e lojës, cili ka qenë?
Padyshim që ekipi më i fortë që kam pasur përballë ka qenë Tirana. Janë një ekip i kompletuar dhe ndodhen me meritë në vendin e parë. /Sport Ekspres/