Një pasim nga Lushkja në brëndësi të zonës dhe e majta vrasëse shkon në rrjetë, me pamundësinë e portierit kundërshtar që të reagojë për të ndalur topin. Kështu erdhi goli i parë i takimit nga ana e Laçit kundër Kukësit në ditën e djeshme.
Menjëherë autori i golit, Musta, nisi të tregonte emrin e mbartur në fanellën e tij. Një mesazh për të përcjellë dhe njerëz që duhej ta shihnin se kush arriti të tundte rrjetën. Por për kë shkonte ky mesazh? Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Musta rrëfen gjithë emocionet e përjetuara dhe njëkohësisht aventurën e tij me Laçin, duke e thënë qartësisht se me Duron në stol ka ndryshuar tërësisht edhe ambienti në skuadër.
Pasimi nga Lushkja dhe e majta që përfundon në rrjetë. Çfarë ndjesish të përshkuan pasi arrite të shënosh golin e parë të takimit ndaj ish-ekipit tënd?
Jam ndierë shumë i çliruar pasi ishte një gol shumë i shpejt, erdhi në minutat e para të takimit kundër një rivali direkt dhe shumë të fortë. Sa i përket ndjesisë kundër ish-skuadrës do të thoja se nuk ishte ndonjë gjë e veçantë pasi unë kam shumë vite që luaj në Superiore dhe jam profesionist. Bëj maksimumin dhe detyrën time për fanellën që mbaj veshur.
Menjëherë pas golit tregon edhe emrin në fanellë. A ishte ky një mesazh për Kukësin që nuk arriti të vlerësonte?
Jo aspak, unë te Kukësi jam ndierë shumë i vlerësuar nga të gjithë, si nga ana njerëzore dhe nga ajo profesionale. Kam kaluar një vit të shkëlqyer atje.
Po përse erdhi reagimi duke treguar emrin në fanellë?
Ishte për “dikë” që këtë ndeshje e pa nga televizori, për ta pasur një pamje më të qartë të fanellës sime.
Si e pe Kukësin në krahasim me periudhën kur ke qenë pjesë e tij, ishte më i dobët?
Sa i përket Kukësit, do të thoja se do të jetë sërish shumë e vështirë për të bërë një ekip si në sezonin e kaluar. Për mendimin tim ishte super skuadër, por fatkeqësisht që nuk e fituam dot titullin.
Ardhja e Duros ka sjellë ecuri pozitive te Laçi. Çfarë ndryshoi si me magji?
Profesor Duro ka meritë të madhe pasi është një nga trajnerët më të mirë në Shqipëri, për të mos thënë më i miri. Pas ardhjes së tij dhe stafit, ekipi fitoi qetësinë e nevojshme. Të gjithë lojtarët kanë reaguar mirë me këtë ndryshim dhe po shprehemi në fushë.
Dy fitoret e arritura në pak kohë teksa keni mposhtur Partizanin dhe Kukësin. Cila prej tyre iu ka shijuar më shumë?
E vërtetë që kemi fituar ndaj dy ekipeve me shumë emër, janë mjaft të rëndësishme këto gjashtë pikë kyçe për ne që të ngjitemi sa më lartë në renditje. Ajo që më bënë për t’u ndierë mirë është se ekipi ynë i imponon lojën çdo kundërshtarit dhe se ne nuk fitojmë vetëm me rezultat.
Objektivit të titullit kampion po i afroheni në çdo javë. Sa shumë beson se mund të arrihet dhe çfarë i druhesh më tepër gjatë këtij rrugëtimi?
Është shumë herët që të flasim për titull në këto momente pasi janë shumë ndeshje për t’u zhvilluar. Llogaritë bëhen në fund, unë di të them që kemi skuadrës shumë të fortë në çdo repart. Titulli është një maratonë dhe jo një garë në 100 metra. /Sport Ekspres/