Ekskluzive/ “Nuk do të ketë gola në Varshavë”! Trajneri i ekipit polak ngre dyshime për Muçin: Ose Shqipëria qenka kaq e mirë ose Silvinjo nuk e ndjek kampionatin tonë

Nga Klaudio Ndreca

Sport Ekspres po vazhdon që të intervistojë figura të rëndësishme të futbollit në Poloni përpara ndeshjes që Shqipëria do të zhvillojë në Varshavë. Këtë herë kemi biseduar me ish-trajnerin e Legias së Varshavës dhe që tani drejton Piast Gliwice, në elitën e futbollit polak, Aleksandar Vukovic.

Ky i fundit e ka vlerësuar shumë Shqipërinë, ndërsa tregon bindjen e tij se ndeshja mes Polonisë dhe Shqipërisë do të mbyllet me pak gola dhe do të vendoset nga një episod. Vukovic shprehet se humbja e parë me shifrat 4-1 për kuqezinjtë në kohën e Rejas ishte “e gënjeshtërt” pasi fusha nuk e pasqyroi këtë rezultat.

“Nuk do të jetë ndeshje e lehtë për Poloninë, pres një ndeshje të fortë që do të vendoset nga një gol. E mbaj mend herën e fundit kur Shqipëria luajti kundër Polonisë. Rezultati ishte 4-1, por Shqipëria nuk bëri ndeshje të keqe. Ju keni luajtur shumë mirë, sidomos në pjesën e parë. Këtë herë pres që të jeni më shumë konkurrues dhe nuk mendoj se do të ketë shumë gola në këtë ndeshje.

Sigurisht që Polonia është favorite për të fituar grupin, por Çekia dhe Shqipëria kanë ekipe të forta. Do të jetë shumë interesante gara mes këtyre tre ekipeve. Ndeshjet mes tyre janë të rëndësishme, nuk pres ndonjë befasi që një prej këtyre Kombëtareve të lënë pikë me dy rivalët e tjerë.

Unë njoh Hysajn nga Shqipëria që luante te Napoli dhe tani te Lacio, njoh Kumbullën që luan te një ekipi i fortë si Roma, Uzuni po shënon gola te Granada. Këta janë futbollistët që unë njoh nga Shqipëria, pa harruar Abrashin, më kujtohet. Donim të firmosnim atëherë për ta marrë te Legia Varshavë, disa vite më parë kur ai luante me Freiburg. Ishim shumë afër të nënshkruanim, por nuk ndodhi, shoh që është ende pjesë e Shqipërisë.

Silvinjo? E njoh më shumë si lojtar se trajner. Sigurisht që është emër i madh i futbollit dhe do të jetë interesante që ta shohësh se çfarë do të bëj me një ekip të talentuar si ai i Shqipërisë. E mendoj që ju në Shqipëri prisni që të arrini diçka të madhe me të, do ta shoh kundër Polonisë për të kuptuar idetë e tij për futbollin”, tha Vukovic.

Në kohën kur ky trajner ishte te Legia, kishte fare pak hapësira për Ernest Muçin. Megjithatë trajneri i polakëve nuk e kupton mungesën e ftesës për këtë element të Shqipërisë me sezonin që po kalon.

“Ishte surprizë që nuk u ftua nga Shqipëria. Ka zhvilluar sezon të mirë këtu te Legia, shumë më mirë se kur unë isha trajner aty, ka më shumë ndeshje për të tani edhe për shkak të mënyrës sesi po luan. Ka shënuar gola dhe ka dhënë asist të rëndësishëm për ekipin. Kam dy pikëpyetje për mungesën e Muçit: “Ose ju jeni kaq shumë të mirë dhe keni lojtarë që krijojnë aksione dhe raste ose Silvinjo nuk e njeh akoma atë, pra si trajner nuk e ndjek shumë kampionatin polak”. Por sigurisht që nëse Muci vazhdon kështu do të jetë shpejt në Kombëtare, kjo është ajo që unë besoj”, tha Vukovic. /Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online