Ish-trajneri i Tiranës, Egbo, është shprehur se Partizani ka jo pak gjasa që të kalojë Bazelin në turin e dytë të “Conference League”. Nëse shumëkush do të çuditej nga një përfundim i tillë, tekniku që u shpall kampion në Superiore e sheh ndryshe, për më tepër duke vendosur të njëjtën përqindje për kalimin më tej. Në prononcimin e dhënë për “Sport Ekspres”, Egbo ka treguar edhe pikën më të dobët që kanë në krahun e zviceranëve.
“Mendoj që te Partizani kanë 50% mundësi kualifikimi kundër Baselit. Duhet besim, strategji dhe loja si një grup. Futbolli ka treguar që çdo gjë është e mundur, kështu që për mua nuk do jetë çudi që të kualifikohet Partizani. Partizani ka të dy fazat e lojës, sulmuese dhe mbrojtëse, kurse ekipi i Bazelit është shumë i mirë në sulm dhe i dobët në mbrojtje. Për më tepër që do të ketë edhe pak nënvlerësim nga Bazeli. Do të jetë vendimtar rezultati i ndeshjes së parë për të treguar ekipin që do të kalojë më tej. Partizani nuk është në presion, por ekipi i Bazelit do të ketë gjithë presionin mbi supe. E rëndësishme është që te Partizani të kuptojmë mënyrën sesi do të jenë përgatitur edhe nga ana psikologjikë atë presion që do t’i vijë nga Bazeli”, tha Egbo. /Sport Ekspres/