EKSKLUZIVE/ Një vit pa u paguar, Sabien Lilaj çon në gjyq Skënderbeun!

Thuajse 3000 km larg, pra më shumë se një ditë rrugë, ndajnë Tiranën nga Gabala, qyteti i Azerbajxhanit, aty ku dy ish-futbollistë të Skënderbeut kanë gjetur “shtëpi”, duke luajtur me skuadrën me të njëjtën emër në kampionatin azer të futbollit. Po flasim për Sabjen Lilajn dhe Xhejms Adeni, që kanë fituar të dy tiujt dhe trofe me skuadrën korçare.

Një transferim i dyfishtë, gjatë kësaj vere, për sulmuesin afrikan dhe mesfushorin e kombëtares, i cili vinte pas gjashtë sezonesh me fanellën bardhekuqe, duke ngritur 6 herë trofeun e titullit kampion, por edhe 2 Kupa të Shqipërisë dhe 2 Superkupa…

Lilaj ishte një lider te Skënderbeu, teksa përjashtimi nga Europa i Skënderbeut ka shtyrë edhe këtë largim për një aventurë të re, në Azerbajxhan. Por, sikur të ishte vetëm çështja UEFA do të kishte qenë mirë, sepse sipas asaj që ka mësuar ekskluzivisht “Sport Ekspres”, burime në FSHF dhe pranë futbollistit, ka një mundje dore të fortë që vijon në distancë mes mesfushorit 29-vjeçar dhe presidentit Ardjan Takaj, që nuk janë ndarë aspak mirë…

Lilaj pretendon se ka plot 1 vit pa u paguar te Skënderbeu, pra sezonin e fundit të tij bardhekuq, për një shpërblim të barabartë me 126 mijë euro, ndërsa klubi korçar, në anën tjetër, shprehet se zotëron dokumentet e duhura dhe borderotë se duhet t’i shlyejë Lilajt 97 mijë euro…

Çështja nuk ka mbaruar me kaq dhe lojtari i është drejtuar Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve (DHZK), duke i shkuar në fund kësaj çështje.

Sakaq, Lilaj vijon aventurën në Azerbajxhan, ku ka luajtur dy ndeshje në kampionat dhe dy në Kupat e Europës, duke u aktivizuar në total 360 minuta, pra të plota.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *