Samuel Nikaj, padyshim një prej trajnerët shqiptarë më të përgatitur të momentit. Kudo ku shkon në trevën shqiptare, ashtu si edhe në Kosovë së fundmi, ka recetën fituese për të shpallur kampion ekipet që kërkojnë të futen në elitë.
Por më pas do të vijë gjithmonë i njëjti vendim, për t’u larguar. Një tjetër vlerë kjo e Nikajt, që me largpamësinë e tij, parashikon saktësisht edhe fatin se çfarë do të ndodhë pas një viti. Jo vetëm duke iu gëzuar fitores së momentit, por edhe duke menduar me detaje të ardhmen.
Aktualisht te Liria e Prizrenit ka të njëjtin objektiv, për ta dërguar këtë skuadër në Superligë. Gjatë një interviste për “Sport Ekspres”, trajneri shkodran ka folur edhe në lidhje me problemet që ka Vllaznia:
Si po shkon aventura e re, e ke nisur në mënyrën e duhur te Liria. Këtë herë do të shohim edhe në elitë?
Të them të drejtën shumë mirë e kemi nisur me dy fitore dhe jam krenar që jam në stolin e Lirisë. Ky është ekipi më i madh që drejtoj gjatë karrierës, përjashto 5 ndeshjet që kam qenë të Vllaznia. Për vazhdimësinë jam i fokusuar momentalisht tek objektivi për inkuadrimin në Superligën, pastaj do ia lëmë kohës.
Përse gjithmonë e njëjta zgjedhje? Arrin të shpallësh kampion ekipet dhe më pas vjen largimi yt. Fakti është se ato skuadra bien sërish nga elita. A është largpamësia që ndikon?
Konstatimi juaj është i drejtë. Normalisht unë bëj zgjedhje me tru dhe jo me zemër. Po të ishte zemra në pyetje, nuk do isha larguar nga Vushtria. Është shtëpia ime e dytë, ambient është fantastik. Tifozeria është e jashtëzakonshme dhe kam nostagji për këtë skuadër. Shpresoj të mos bjerë nga Superliga.
Vllazninë vazhdon ta shohësh. Si të duket në këtë sezon të ri?
Vllaznia është ekipi i zemrës. E ndjek dhe ka marrë trajner me emër, ka punuar shumë mirë. Por sezoni i ri me problemet e vjetra. Ka 13 blerje jo shumë cilësore me atë që po shihet deri tani. Shpresoj të mbijetojë pasi ka shanse.
Çfarë i mungon aktualisht shkodranëve. Cungu u shpreh se edhe te goli i Hygor, i vetmi deri tani, lojtarit “ia mbushi shejtani”. A është sulmi problemi?
Vllaznia duhet të zgjidh problemet e menaxhimit sa më herët të jetë e mundur. Pastaj ato problemet tekniko-taktike janë problemi më i vogël që ka skuadra sot.
Në objektivat e largëta, e sheh veten në stolin e Vllaznisë?
Të ardhmes nuk i dihet, Shqipëria është vendi i çudirave. Këtu të bie të flesh si trajner dhe nesër çohesh nga gjumi si ministër i sportit(Qesh). Momentalisht jam i fokusuar te Liria dhe do të mundohem që të rrijë sa më gjatë në kryesinë e prizrenasve. /Sport Ekspres/