Ekskluzive/ “Ndeshjet nxorrën në pah probleme të vjetra“, Luga tregon të metat e kuqezinjve: Na shënuan lojtarë pa ekip

Kombëtarja shqiptare përfundoi me nota negative dy ndeshjet e saj zyrtare të vlefshme për Ligën e Kombeve. Si për të mos mjaftuar barazimi në transfertën me Islandën, kuqezinjtë u mposhtën mbrëmjen e djeshme nga Izraeli në “Air Albania”. Megjithëse e rreshtuar në fushë gjendet një mbrojtje “made in Serie A”, ekipi i drejtuar nga Reja vazhdon të pësojë gola aspak normal për një skuadër që mbi të gjitha pretendon vendin e parë në grup.

Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Ergys Luga nxjerr në pah të metat e kuqezinjve. Trajneri shqiptar që vijon karrierën e tij në Kinën e largët shpjegon se çfarë shkoi keq në këto dy ndeshje të fundit. Sipas tij, fusha e lojës nxorri në dukje probleme të vjetra të Shqipërisë, ndërsa një problem kryesor liston faktin se lojtarët nuk kanë bindje taktike.

“Në këndvështrimin tim, këto dy ndeshje zyrtare nxorrën në pah probleme të vjetra, të cilat normalisht nuk janë pozitive. Edhe ndeshja me Islandën, edhe ndeshja me Izraelin, nuk u zgjidh siç duhet. Cilësi kemi në çdo repart, është e saktë, por nuk po shprehen dot. Ne gjithmonë duam të jemi në ekuiliber, qoftë edhe me ekipet që janë poshtë nesh. Pastaj, unë i mëshoj shumë bindjes taktike, ne nuk bindemi.

Taktika është detyrim, përulje, respekt, disiplinë… çdo gjë! Ne nuk po e shprehim këtë. Dalim nga detyrat menjëherë, sepse marrim përsipër rreziqe që ne nuk i quajmë rreziqe. Mirëpo këtë veti e kanë lojtarët “Top Players”, ne nuk kemi “Top Players” në ekip. Prandaj duhet të gjithë lojtarët të jenë të bindshëm. Në disa momente u teprua në aspektin individual, si në mbajtjen e topit, mungesë vendimmarrjeje në pasime deçizive.

Po të marrim ndeshjen me Islandën, ata kishin probleme me gjysmëhapësirat ndërmjet mbrojtësave të krahut. Normalisht, nuk ështe e thjeshtë kur i shikon të gjithë kundërshtarët para dhe mbrapa, ta bëjnë të vështirë lojën nga ana psikologjike. Por disa dobësi të kundërshtarit ne mund t’i kishim shfrytëzuar më së miri me futjen e Bajramit.

Ndeshja me Izraelin ishte në ekuilibër. Edhe aty dolën në pah momentet e vendimmarrjes për ne, të cilat nuk ishin pozitive. Megjithëse izraelitët ishin mbyllur shumë ngushtë dhe kishin ardhur në Shqipëri për të luajtur agresivë, siç ne dimë. Pësojmë gola pothuajse njësoj. Si te goli i parë me Islandën, ashtu edhe te i pari me Izraelin u kapëm në kundërsulm. Izraeli po presonte me sprinte të shpejta dhe të shkurtra. Na e bëri të vështirë, sigurisht, por për një ekip që aspiron për të hyrë në Europian këto situata janë të pafalshme.

Gabimet janë zinxhir, nuk mund të vendos gishtin tek një lojtar i caktuar. Thjesht na mungoi kualiteti i Bajramit ndeshjen me Islandën, kurse me Izraelin duhej më shumë cilësi me topin. Ne kemi mungesë përqendrimi. Fakt është që këto dy ndeshje kemi pësuar golat nga lojtarë që s’kanë minuta në këmbë. Njëri i Islandës, i cili është pa ekip, kurse tjetrit i është ndërprerë kampionati për shkak të lu.ftës në Ukrainë“, ka deklaruar Ergys Luga./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online