Ekskluzive/ “Më vjen për të qeshur me këtë krahasim në Shqipëri”! Rraklli: Nuk mbaj mend një krosim të Hysajt dje, Seferi bëri më shumë se Uzuni dhe Cikalleshi

Shqipëria humbi përballë Polonisë me shifrat 1-0 në Varshavë. Për të folur për këtë takim, “Sport Ekspres” ka intervistuar legjendën e Kombëtares, Altin Rraklli. Ky i fundit u shpreh optimist për Shqipërinë e Silvinjos, megjithëse vuri theksin te rezultati, që në Poloni nuk foli për ne. Rraklli e vlerësoi shumë Asanin dhe Asllanin për performancën e djeshme, ndërsa tregoi se priste më shumë nga mbrojtësit e krahut, Balliu dhe Hysaj, që nuk e ndihmuan thuajse fare fazën sulmuese.

“Ndeshja e parë e Silvinjos mund të quhet pozitive. Por nuk duhet të harrojmë se rezultati të dërgon në Europian. Nëse analizojmë zëvendësimet dhe të gjitha komponentët e lojës, është temë e gjatë. Ne kishim përballë një Poloni të plagosur që luajti një ndeshje të vështirë me ngarkesë të madhe kundër çekëve, shpenzuan shumë energji atje, ndërsa ne ishim pushim. Poloni nuk donte të luante futboll, por të fitonte. Ka kohë që Poloni nuk luan futboll, atë nivelit të lartë. Nuk është ai rivali që e ka fryrë veten ose që e kemi fryrë ne.

Këto humbjet me lojë të mirë më kthejnë pas në kohën time kur na lavdëronin se luajtëm bukur me Gjermaninë, por nuk të hyjnë në punë. Ne na mungoi një organizator i mirëfilltë që godet portën. Për mua Asllani ishte më i miri dje. Megjithëse nuk ishte pozicioni i tij natyral se është shkatërrues, ishte i vetmi që po i afrohej portës kundërshtare dhe po godiste. Silvinjo bëri gabim që e hoqi. Hysaj dhe Balliu nuk dolën shumë në krah. Ndeshja mund të mbyllej 0-0 po të mos e pësonim atë gol, mund ta kishim fituar edhe ne pasi Polonia do të hidhej e gjitha në sulm dhe do të linte hapësira.

Ne e kemi traditë tonën si Kombëtare që e neglizhojmë një moment dhe e pësojmë golin. Duhej të ishim shumë të kujdesshëm kur topi u kthye te Zielenski në rastin e golit, të ishim të përgatitur. Ne kujtuam se u mbyll aksioni i tyre pas atij krosimi, u qetësuam dhe aty e pësuam.

Më vjen shumë për të qeshur kur dëgjoj atë krahasimin e brezave në Shqipëri. Nuk e kam dëgjur kurrë në Gjermani, nuk e kam dëgjuar në asnjë vend tjetër në botë. Në Shqipëri merren duke krahasuar brezat dhe lojtarët kokë më kokë. Ky është problemi më i madh i neve si shqiptarë, merreni më të mirën lojtarëve që keni aty, nuk të çon krahasimi i Brezave në Europian.

Jasir Asani? E kam parë kur luante te Partizani, e kam thënë që atëherë që është për Kombëtare. Ka cilësi teknike, është i embël me topin, jep krosa fantastike. Imagjinoni nëse do të ishte që atëherë te Shqipëria, se tani luan në një ekip modest, larg Europës. Por sërish performanca e tij matet me asist ose gola, nuk ishte i rrezikshëm për të goditur portën, qëndroi larg saj, edhe Uzuni qëndroi shumë larg portës. Uzuni ka shënuar 20 gola në Spanjë, atje edhe nëse e gjuan topin për jashtë portës, futet vetë në rrjetë se ecën goli. Por presioni i madh që k nga pritshmëria e tifozëve dhe kur futet në një rol jo të vetin, atëherë bllokohet shumë. Hysaj ishte në nivel të mirë në mbrojtje dje, si shokët e repartit.

Por nuk bëri asgjë në sulm, unë nuk mbaj mend njëherë që Hysaj të hidhte një krosim nga krahu i tij, një krosim të vetëm si e bën te Lacio. Vetëm nëse Silvinjo i ka thënë që të mos e lërë zonën e tij në asnjë moment, por nuk e besoj të jetë kjo. Na mungoj Broja, me cilësitë e tij do të kishte bërë shumë në atë mbrojtje që kishte Polonia. Seferi u fut pak minuta dje dhe ishte më i rrezikshëm se Uzuni-Cikalleshi dhe Asani bashkë”, tha Rraklli. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *