Ekskluzive/ “Më mungon ushqimi në Shqipëri”, Alveshi rrëfehet: Tifoz i Flamurtarit, ndoshta kthehem

Danilo Alveshi ka qenë një prej futbollistëve të huaj që ka fituar simpatinë në Vlorë gjatë sezoneve të fundit. Por mes kaq shumë problemeve që ka hasur prej kohësh Flamurtari, është e vështirë për një lojtar që të bëj diferencën dhe të shpëtojë gjithmonë ekipin.

Në këtë pikë humbiste edhe Danilo Alveshi, që nëse gjithçka do të funksiononte në mënyrën më të mirë, atëherë do të ishte një nga më të mirët në Superiore. Aktualisht ka nisur një aventurë të largët në Kazakhistan, me Okzhetepes. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Alvesh i lë edhe një derë të hapur rikthimit te Flamurtari në të ardhmen.

“Tani jam duke luajtur në Kazakistan dhe po e shijoj si eksperiencë. Të dyja kampionatet, duke e krahasuar me Shqipërinë, janë shumë të mira. Por këtu ku jam tani, ndoshta ka më tepër rivalitet dhe organizim të klubeve. Çfarë më mungon nga Shqipëria? Ushqimi dhe disa miq të mirë që i kam bërë në atë vend. Superioren e shoh gjithmonë. Kam luajtur te Flamurtari për tre vite dhe mora mundësinë që të kirjoja një histori të re në Europë. Kontrata u mbyll dhe erdhi një mundësi e mirë për karrierën. Për momentin nuk kam interes për t’u kthyer. Në të ardhmen, ndoshta. Jam një tifoz i atij klubi dhe e mbështes.

Pakënaqësitë e presidentit dhe lojtarëve te Flamurtari janë të kuptueshme tani. Kur mungojnë rezultatet, gjithmonë do të ketë pakënaqësi. Të vjen shumë keq kur e sheh këtë situatë të kampionatit. Klubi ka pasur gjithmonë probleme. Lojtarët që janë me eksperiencë duhet të kuptojnë situatën dhe ndonjëherë janë lojtarët e rinjë ata që e ndiejnë fanellën. I uroj vërtet shumë fat Flamurtarit, që të ngjitet sa më shpejt”, ka thënë Danilo Alvesh. /Sport Ekspres/