Nëse hedhim sytë te të rinjtë shqiptarë mbushemi me shpresë se e ardhmja e Kombëtares do të jetë në duar të sigurta. Të rinj si Kumbulla apo Broja po japin më të mirën e tyre dita ditës dhe po jetojnë ëndrrën që dalëngadalë po bëhet një realitet, ndërsa edhe futbollistë të tjerë kuqezinj po ecin në hapat e duhur me ekipet e tyre. I tillë është edhe Adrian Ramadani, sulmuesi që luan për moshat e klubit holandez, Den Bosch, si dhe më parë është aktivizuar me Almere City.
Rruga e rrjetës nuk ka qenë e vështirë për të deri në këto momente, ndërsa në një intervistë me “Sport Ekspres” zbulon se shumë e krahasojnë me të madhin Zllatan Ibrahimoviç. Madje kjo jo më kot, pasi gjithnjë është shpallur golashënuesi më i mirë i ekipit, duke u vlerësuar nga Almere City si talenti më i madh i këtij klubi. Por sulmuesi shqiptar nuk i harron rrënjët e tij, duke treguar se e ruan ende traditën e vendit tonë, megjithëse ka jetuar në Holandë. Ramadani thekson se e pret me kënaqësi një ftesë nga Kombëtarja shqiptare, fanellën e së cilës e ka një ëndërr ta veshë.
Shumë gola te shënuara deri tani te Den Bosch. Cili është realizimi që të ka shijuar më shumë si dhe vleresimet që merr te skuadra, ndoshta ndonjë nofkë, etiketim ndryshe nëse të kanë vendosur?
Unë jetoj në Holandë dhe momentalisht jam te Klubi FC Den Bosch. E kam filluar futbollin që në moshën 6 vjeçare dhe pas 2 vitesh klubi profesionist Almere City më ka zgjedhur për të qenë pjesë e tij. Me fjalë të tjera prej moshes 8 vjeçare deri në moshën 19 vjeçare kam qenë pjesë e këtij ekipi. Më pas kam kaluar te FC Den Bosch. Gjatë qendrimit në Almere City kam qenë golashënuesi më i mirë gjatë gjithë kohës dhe për këtë jam vlerësuar me një trofe si talenti më i madh i klubit. Me këtë skuadër kemi luajtur në ligën më të lartë të grupmoshave të Holandës. Luaj në pozicinonin e qendërsulmuesit që prej fillimit të karrierës. Më krahasojnë me lojën dhe stilin e Zlatan Ibrahimoviç. Sa i përket realizimeve që më kanë shijuar më tepër, sigurisht golat kundër Ajaxit gjithmonë e kanë aftësinë të të dhurojnë një kënaqësi të veçantë.
Cili është qëllimi yt më i afërt që dëshron ta mbërrish?
Qëllimi im është të diplomohem tek fakulteti “Johan Cruyff”, sepse e përfundoj gjatë këtij viti. Gjithashtu një objetiv për t’u realizuar është që të shkoj te një klub i mirë.
E ke ndjekur Kombëtaren e Shqipërisë gjithmonë?
Kombëtaren e kam ndjekur përherë. Që prej momentit kur kam qenë i vogël e deri tani e ndjek me shumë emocione.
Keni lindur në Gjermani dhe tani jetoni në Holandë, ndërsa gjuhën shqipe e flisni për mrekulli. Si ka ndikuar familja dhe a i ruani po kaq mirë të gjitha zakonet e traditat tona?
Po, prindërit e mi kanë pasur një ndikim të madh në këtë aspekt. Në shtëpinë tonë është folur gjithnjë shqip dhe kemi arritur t’i ruajmë traditat tona.
Nga të gjithë lojtarët kuqezinj që ke parë, kë do të doje që të arrije dhe që e ke parë si model?
Kur flasim për pozicionin tim kam dy lojtar të cilët i mbaj në mendje mirë. Ata janë Igli Tare dhe Erjon Bogdani. Gjithashtu një tjetër lojtar që më ka inspiruar, por që nuk luan në të njëjtin pozicion si unë, është Lorik Cana.
Një ftesë nga të rinjtë e Shqipërisë. Pret që kjo të mbërrijë shpejt dhe të japësh kontributin tënd për fanellën kuqezi?
Po, sigurisht që e pres. Kjo pasi e kam ëndërr që të luaj për kombin dhe për flamurin tonë./Sport Ekspres/