Me letrën në një krahë dhe stilolapsin në tjetrën, Edi Sylisufaj nisi të bënte llogaritë edhe për Kombëtaren që do të përfaqësonte. Sigurisht nëse do të bëhej fjalë për ekipin e ardhshëm të tij, gjithçka do të kuptohej më së miri, por në Kombëtare nuk mund të funksionojë kurrsesi kështu.
Flitet për sulmuesin 20-vjeçar nga Suedia që u zyrtarizua pak ditë më parë te Kosova si një afrim i ri. Aktualisht Sylisufaj është pjesë e Falkenberg, ndërsa ka luajtur pak takime edhe me të rinjtë e Suedisë. Kur erdhi momenti për t’u rikthyer me origjinën dhe Kombëtaren Shqiptare, pasi te Suedia u mësua qartësisht se nuk ishte në plane, nuk është menduar gjatë për të vendosur ultimatumin: “A më garantoni vendin e titullarit ju?”.
Një gjë e tillë nuk mund të ofrohej nga Shqipëria pasi pikësëpari Sylisufaj nuk kishte bërë asnjë ditë stërvitje me kuqezinjtë. Sipas asaj që mëson “Sport Ekspres” përgjigja e ofruar ka qenë se duhet të konkurrojë së bashku me sulmuesit e tjerë, por kjo është marrë si një nënvlerësim nga ana e sulmuesit 20-vjeçar. Vetëm pak ditë më vonë do të zyrtarizohej edhe kalimi i tij tek Kosova. Ideja ishte e qartë se te dardanët U-21 sulmuesit më konkurrues e kanë mbushur moshën e tyre dhe nuk mund të jenë më pjesë e Shpresave.
Sigurisht që nuk ka asgjë për të ndierë keqardhje me këtë rast pasi do të përforcohen dardanët, por mënyra sesi lojtarët luajnë dhe bëjnë llogaritë e tyre për të zgjedhur Kombëtaren, është më tepër sesa e turpshme. /Sport Ekspres/