Ndryshime të rëndësishme janë bërë te Partizani në prag të fillimit të sezonit të ri të futbollit shqiptar. Pak ditë më parë vëmendje të madhe mori largimi i një prej figurave më me peshë të të kuqve në vitet e fundit. Egzon Belica i dha fund periudhës së tij me Partizanin dhe në një prononcim në media zbuloi edhe bisedën që kishte zhvilluar me Elton Marinin, i cili i kishte bërë të qartë se nuk ishte më pjesë e hierarkisë së mëparshme në klub.
Vetë drejtori sportiv i Partizanit ka folur ekzkluzivisht për “Sport Ekspres” në lidhje me këtë çështje, duke pranuar versionin e dhënë nga Belica. Por nga ana tjetër shton se mediat kanë deformuar fjalët e mbrojtësit, pasi në asnjë çast nuk ëhtë bërë presion për të ulur imazhin e lojtarit.
“Nuk i heq asnjë presje fjalëve të Belicës për një diskutim që e kemi bërë ndershmërisht në mënyrë burrërore me njëri-tjetrin. Ndoshta disa media e kanë deformuar fjalën e tij dhe kontekstin, por në asnjë moment nuk i është bërë presion për të ulur figurën e tij me dërgim për stërvitje në ekipet e tjera. Vendimi është marrë thjesht duke u bazuar në raportin e stafit teknik, për të cilin nuk ishin garancitë e duhura që ai të ishte në hierarkinë e mëparshme“, ka thënë Elton Marini.
Partizani është duke punuar edhe në merkaton hyrëse, ku në skenë ka dalë një emër i njohur për futbollin shqiptar. Sidrit Guri është objektivi i “demave të kuq“ dhe ky fakt merr edhe konfirmimin e Marinit. Drejtori sportiv i kryeqytetasve pohon se është duke u përpjekur të vedhë Gurin me fanellën e kuqe, por konkurenca është e madhe.
“Konfirmoj interesin e Partizanit dhe takimin me lojtarin, që besoj do të na ndihmonte nëse arrihet një marrëveshje. Por konkurrenca e klubeve të huaja është e fortë dhe lojtaret zgjedhin aty ku mendojnë se mund të kenë më të mirën për veten dhe familjet e tyre“, ka përfunduar Elton Marini./Halit Delibashi-Sport Ekspres/