Ekskluzive/ “Longo është trajneri më i mirë i karrierës time”, flet heroi që mundi Tiranën dhe që po zbukuron Kukësin: Më motivon futbolli i Mesit

Nga Klaudio Ndreca

Kukësi “i bukur” i Longos arriti një tjetër rezultat impresionues. Fundi i fazës së parë u mbyll me një fitore kundër Tiranës, si për t’i dhënë dorën e fundit kësaj panorame që na u paraqit në këto nëntë ndeshje. Papritur një grup i panjohur i futbollistëve po kthehet në kryefjalën kryesore të kampionatit, duke na surprizuar jo pak. Suksesi i këtij Kukësi është forca e grupit, por nëse do të veçojmë një futbollist, do të ndalemi te Basha.

Jo vetëm për faktin se shënoi golin e fitores ndaj Tiranës, por për hir të futbollit të bukur që prodhon me lëvizjet e tij. Gjithmonë në kërkim të spektaklit dhe “shëron” sytë e tifozëve me mënyrën sesi paraqitet në fushë. Basha është për t’u duartrokitur, ndërsa aktualisht po kryeson me Seferin me 5 golat e shënuara në 9 javë, askush nuk ia ka dalë më tepër se ta. “Sport Ekspres” ka zhvilluar një intervistë me Bashën, që e veçon Longon nga të gjithë trajnerët e tjerë. Në fakt karriera e tij nuk është e pakët pasi e ka nisur që në vitin 2012.

“Që kur kam ardhur e dija se kjo skuadër kishte ambicie të mëdha. Këtu kanë bërë një grup të mirë të futbollistëve dhe kemi një staf profesionist. Për këtë arsye kam besuar shumë se do të kemi rezultate pozitive. Që jam në krye të listës së golashënuesve, nuk është vetëm merita ime, por edhe e skuadrës. Ne punojmë së bashku, jo individualisht. Por nuk është ky prioriteti im, prioriteti im është që të ndihmoj Kukësin në rezultate pozitive.

Më pëlqen shumë mënyra sesi ne luajmë futboll dhe ndihem mirë me të. Unë mendoj se ne luajmë një futboll modern dhe prandaj po rritemi të gjithë si lojtarë dhe skuadër. Goli ndaj Tiranës? U ndjeva i çliruar kur topi hyri në rrjetë pasi e di sesa shumë do të thotë për ne kjo fitore dhe sesa shumë kemi punuar për këto ditë.

Tirana është një skuadër shumë kualiteteve dhe ishte test i mirë për ne. E kemi menaxhuar mirë fitoren e arritur, me shumë vështirësi, e kuptueshme. Trajneri Longo? Është trajneri më i mirë që kam punuar në gjithë karrierën time. Është kënaqësi e madhe që të punosh dhe të mësosh nga një njeri i tillë. Lojtari që më motivon? Ka shumë, por nëse zgjedh një, është padyshim Mesi”, shprehet Basha. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *