Thuhet se zakonisht andej nga vjen zhurma, nuk mund të ketë kurrsesi punë. Thuhet se në anën tjetër të heshtjes, është i gjithë boshti ndërtues dhe që vendos në lëvizje mekanizmin. Një rast konkret për ta dëshmuar të gjithën këtë, është padyshim Burim Kukeli.
Lojtari më i qetë në Kombëtaren e Shqipërisë, më i thjeshti dhe nuk i kushtonte rëndësi së tepërmi pamjes së jashtme sa fushës, ndonjëherë ishte edhe “ylli” i fshehur. Nëse dikush pyeste se përse De Biazi zgjidhte gjithmonë këtë lojtar në 11-shen startuese, ato ndeshje ku Kukeli nuk luante të jepnin përgjigjen.
Ishte gjithë sekreti i trajnerit italian, që kundërshtarët të mos i përplaseshin mbrojtjes dhe portës në çdo aksion. Përpara portës kishte një digë të pakalueshme, që rrallëherë mund të fuste ujë. Këtë e kemi vuajtur shumë dhe kohët e fundit, ndërsa aktualisht Kukeli luan me Kriens në “Challenge League”, atje ku ka marrë dhe shiritin e kapitenit. Mesfushori i Shqipërisë ka dhënë një intervistë për “Sport Ekspres”, duke na rrëfyer futbollin e tij:
Kurioz ta dimë. Si projektohet në mendjen e Kukelit futbolli duke përfshirë gjithçka(media, fusha, imazhi, rrjetet sociale) dhe sa larg është këtij futbolli modern?
Shikoni, këto 10 vitet e fundit futbolli ka ndryshuar shumë. Është bërë shumë më intensiv, më dinamik dhe më i shpejt. Rrjetet sociale janë bërë tashmë pjesë e futbollit, është bërë mënyra më e mirë e reklamimit. Shumica e lojtarëve i përdorin. Por unë kam vetëm “Facebook”, madje edhe atë e përdor shumë pak.
Gjithmonë mbahesh mend për thjeshtësinë dhe shembullin tënd. Futbolli është më shumë se modeli i flokëve apo jo?
Më duhet t’ju falenderoj. Sigurisht, futbolli është shumë më shumë sesa modeli i flokëve. Është pasion, punë e vazhdueshme, sakrificë.
Sa i përket mënyrës së lojës, njihesh shumë gjakftohtë. I tillë edhe në jetën reale?
Më ka ndodhur shpesh dhe të jem nervozuar në fushë. Mundohem gjithmonë ta kontrolloj veten dhe pse nuk është e lehtë. Në jetën reale jam zakonisht i qetë dhe kaloj sa më shumë kohë me familjen dhe shoqërinë.
Nëse të pyes nëse e ke ndjekur Kombëtaren, do të ishte e pakuptimtë. Por mendon se i mungon diçka këtij grupi për të na kualifikuar sërish në Europian?
Normalisht që e ndjek çdo ndeshje të Kombëtares. Tani me Islandën kanë bërë një ndeshje shumë të mirë si grup dhe më kanë pëlqyer shumë. E kemi prapë një grup të vështirë me Francën, Turqinë dhe Islandën. Tani jemi në vendin e 4, mendoj se qëllimi duhet të jetë për të arritur njëherë vendin e 3, pastaj të shohim, pasi gjithçka është e mundur në futboll.
Një nga problemet tona në Kombëtare është mësimi i lojtarëve me role të reja në skemën 3-5-2. Të gjithëve na kujtohet ajo përshtatja jote e habitshme si mbrojtës ndaj Zvicrës. Ishte një shpikje e De Biazit, apo të kishte provuar dhe më herët?
Mendoj se në këtë nivel të Kombëtares të gjithë mundën të luanin më shumë se 2 skema të formacionit. Është mirë ta gjejmë skemën që i përshtatet këtyre lojtarëve që kemi aktualisht. Ndaj Zvicrës për Europian kam luajtur si qendërmbrojtës pasi ishte vendimi i De Biazit. Lorik Cana u ndëshkua me të kuq dhe unë kisha luajtur ndonjëherë te Zyrihu në këtë rol, por asnjëherë te Kombëtarja. Atëherë luajtëm dhe dhamë shumë që të gjithë, që të kompensonim një lojtar më pak.
Synimi i Burimit për vazhdimësinë dhe aventura e re në “Challenge League”. Vlerësimi ka qenë i madh pasi të dhanë menjëherë shiritin, apo jo?
Për momentin e ndiej veten shumë mirë dhe dua të luaj sa të jem në gjendje që të mbaj këtë nivel të lojës. Dua të them se nuk është shumë më e lehtë edhe këtu, në këtë kategori, pasi ka ekipi që duan të ngjiten në kategorinë e parë. Ekipi më ka zgjedhur si kapiten, i falenderoj shumë dhe mundohem që t’u shërbej atyre gjithmonë. /Sport Ekspres/