Nga Klaudio Ndreca
Geraldo Bajrami do të surprizonte jo pak me lëvizjen e bërë gjatë merkatos së dimrit, teksa u largua nga Birminghami dhe shkoi në huazim te Solihull. Mbrojtësi shqiptar kishte shiritin e kapitenit te grupmosha U-23 e anglezëve, ndërsa kishte debutuar edhe me ekipin e parë. Për të kaluar në atë aventurë të re dhe që zgjati pak në kategorinë e ulët të Anglisë. Fatmirësisht mbrojtësi i Shqipërisë U-21 është rikthyer sërish me ekipin e parë të Birminghamit duke u stërvitur dhe duke u përgatitur për rinisjen e “Championship”. Në prononcimin e dhënë për “Sport Ekspres”, Geraldo na tregon se te Solihull ka lëvizur edhe për shkakun e lidhjes miqësore së trajnerit të Birminghamit me presidentin e ekipit ku shkoi si huazim.
“Unë faktikisht kur shkova tek Solihull, dua të them se trajneri te Birminghami e njeh presidentin e Solihullit dhe për këtë arsye kam shkuar për t’i ndihmuar pak. Por nga ana tjetër doja të luaja edhe vetë më tepër. Gjithmonë flisja me shokët e skuadrës te Birminghamit dhe jam i lumtur që u riktheva pasi ndihem si në shtëpi.
Jemi duke u stërvitur, por me rregulla. Për momentin lejohemi vetëm pesë lojtarë në stërvitje. Pra jemi ndarë në grupe mes mbrojtësave, mesfushorëve dhe sulmuesëve. Nuk lejohemi që t’i afrohemi njëri-tjetrit më shumë se 2 metra dhe po përgatitemi vetëm në aspektin fizik. Nga javë tjetër pritet që të stërvitemi në grup.
Kumbulla dhe Ismajli? Janë dy mbrojtësa fantastikë dhe luajnë rregullisht në ekipet e tyre. Në vitin që vjen dua që të shtyj veten që të marrë vendin e titullarit te Birminghami dhe më pas t’i bashkohem. Kemi dhe disa lojtarë që unë i njoh si Broja dhe Dobra, për 2-3 vite Shqipëria do të ketë një grup shumë të mirë”, tha Bajrami. /Sport Ekspres/