Ekskluzive/ “Krymi meriton më shumë se dreka, por mësohet keq”! Gurishta “thumbon” Ilir Dajën: Na mbyll prapë në portë dhe të fitojë sërish Vllaznia

Nga Klaudio Ndreca

Ndeshjet mes Vllaznisë dhe Partizanit kanë rezultuar gjithmonë të bukura për t’u ndjekur në këto kohë të fundit. Mes emocioneve dhe dramës, spektakli kalon nga fusha te deklaratat për media. Këtë herë ishte trajneri i Partizanit, Daja, i cili u shpreh se një ekipi si Vllaznia nuk i shkon që të “zhduki” topat dhe të uli ritmin e kundërshtarit për të zhvilluar 7 minuta loje nga 20 të fundit.

Në një intervistë për “Sport Ekspres”, kapiteni i Vllaznisë, Gurishta, nuk e kursen thumbimin për Ilir Dajën. Trajneri i Partizanit do të shprehej se ishin e vetmja skuadër që i la shkodranët vetëm në gjysmëfushën e tyre për 45 minuta. “Dakort, na mbyll prapë në portë dhe ndeshjen tjetër, por të fitojmë ne”, thotë mes të tjerash Gurishta.

Gjithashtu një “dënim” nga Brdaric ishte pagimi i drekës për Krymin. Një tjetër hero i ndeshjes së fundit teksa sakrifikoi veten për të marrë kartonin e kuq dhe i hoqi golin e barazimit Tedi Carës. Mes batutës Gurishta shprehet se Krymi meriton më shumë se dreka, por që mos të mësohet keq dhe të marrë karton të tjerë të kuq në të ardhmen, e mbyllën me kaq.

Panorama e ofruar në fundin e çdo fitore me grupin e bashkuar. A është vërtet kaq e lidhur skuadra edhe jashtë fushës, përtej asaj që na ofrohet në pamje të parë?

Ajo që dua t’ju them është se ka harmoni jashtëzakonisht të mirë në skuadër. Kjo gjë pasqyrohet si në fushë, por edhe jashtë saj.

Në sezonin e shkuar ishit në vendin e Tiranës me thuajse të njëjtën shkëputje nga ndjekësit. Mendon se bardheblutë do të bëjnë të njëjtin gabim ashtu si edhe ju rrugës, duke qenë se e keni përjetuar vetë situatë?

Nuk më shqetëson fare shkëputja prej 7 pikësh nga Tirana. Ne jemi shumë të qetë dhe të vetëdijshëm se deri ku mund të arrijmë ne si skuadër.

Kthehemi te fitorja e fundit me Partizanin. Biseduat me Krymin dhe e pyetët sesi vendosi në atë fraksion sekondi për të ndërhyrë ndaj Carës? Cili ishte komplimenti që i dhe?

Në fund të takimit e kemi falënderuar që të gjithë për veprimin që ka bërë. Direkt të nesërmen vendosëm që t’i paguanim drekën. Në fakt, Krymi meriton më shumë se një drekë, por e lamë me kaq sepse pastaj do marri më shumë kartonë të kuq. (qesh)

Vllaznia-Partizani po kthehet në rivalitet të bukur në fushë, por edhe për mediat për vetë deklaratat pas ndeshjes. Më herët Partizani është ankuar për arbitrimin ndaj jush, për tifozët që ishin mbi numrat e lejuar në kohë COVID-i dhe tani për topat që zhduken. Çfarë ndodhi realisht?

Në fakt kjo është e vërtetë. Tani çdo herë pas një ndeshje kundër Partizanit, ne e presim një deklaratë. Në Shkodër është luajtur dhe do të luhet gjithmonë “Fair Play”, pa vonesa dhe futboll të shëmtuar. Në Shkodër kur fiton kundërshtari me meritë, tifozët duartrokasin. Prandaj këto justifikime të këtij lloji nuk i shkojnë një skuadre si Partizanit.

E ndani të njëjtin mendim me trajnerin Daja se Partizani është e vetmja skuadër e ka mbajtur për 45 minuta në gjysmëfushën e saj në shtëpi Vllazninë?

Jam dakort me trajnerin Daja që pas daljes me karton të kuq të Krymit, Partizani e kontrolloi lojën. Por në ato momente nuk ka pasur rrezikshmëri dhe raste të pastra. Edhe në ndeshjen tjetër uroj që Partizani të na mbylli në portë, por në fund të fitojmë ne. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *