Nga Klaudio Ndreca
Prishtina është dëmtuar nga arbitrat në takimin e humbur ndaj Gjilanit në shifrat 2-1. Por skenat më të turpshme vijuan më pas kur trajneri i saj dhe figura e njohur e Kombëtares, Armend Dallku, është goditur me gaz lotsjellës nga policia. Shumë pjesëtar të Prishtinës, mes tyre edhe Labinot Ibrahimi kanë përfunduar në spital për të marrë mjekim.
Vetë klubi ka shkruar në faqen zyrtare në “Facebook” se me 99% do të tërhiqen nga gara. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Labinot Ibrahimit i ka pëlqyer ideja e afrimit të Prishtinës për të zhvilluar kampionatin në Shqipëri. Për këtë arsye është kontaktuar edhe drejtori sportiv i klubit, Granit Begolli, që na ka përshkruar më saktësisht gjendjen.
Ndeshja në Gjilan është kryefjala e momentit. Gabimet e arbitrave kanë nisur dhe përfunduar me Gjilanin apo keni edhe ankesa të tjera? Përse nuk mund t’i quajmë gafa njerëzore?
Të them të drejtën jemi nisur për Gjilan për një ndeshje korrekte dhe të fitohet në fushë, jo në atë mënyrë sesi përfundoi. Nuk ka nisur në Gjilan, por në çdo ndeshje kur luan Prishtina ka tendencë që ne të dëmtohemi në një mënyrë apo tjetër. I kuptojmë gabimet njerëzore, por jo të jenë në çdo javë kundër nesh. Mendoj se këtu ka tendencë dhe organizim që vjen zinxhir për të na dëmtuar ne.
Për të qenë më konkret, për çfarë organizimi flitet dhe përse kjo tendencë e arbitrave kundër Prishtinës?
Po arbitrat në Kosovë bëjnë gabime shumë të dukshme dhe javën pasuese delegohen prapë për të gjykuar. Kjo bën që të kuptosh se qendron dikush mbrapa kësaj. Nëse gabohet, duhet të ndëshkosh, jo ta shpërblesh.
Gjithashtu te klubi juaj ka pasur edhe lojtarët e pjesë të stafit që kanë pasur probleme shëndetsore pas konfrontimit me policinë. Si jeni tani?
Gjendja e stafit dhe disa futbollistëve pas përfundimit të takimit ka qenë e rëndë. Është dashur të merret ndihma e mjekëve në Gjilan. Kemi qendruar deri vonë aty dhe pastaj kemi dalë. Tani gjendja e tyre është stabël.
Prishtina reagoi në faqen zyrtare duke konfirmuar daljen nga gara. A po mendohet një kontaktim për afrimin dhe pjesëmarrjen në Shqipëri?
Sa i përket tërheqjes nga gara, klubi nuk ka marrë asnjë vendim të prerë deri tani që po flasim. Do të jenë politikat e bordit drejtues që do të vendosin. Por sido që të jetë ne do ta respektojmë pasi jemi shumë të prekur nga kjo ngjarje ku kampionatin po e drejton dikush në tavolinë se kush duhet ta fitojë. /Sport Ekspres/