Nga Klaudio Ndreca
Erdhi koha që tifozët shqiptarë të përjetojnë emocione që po bëjmë jo pak kohë pa i ndierë. Shqipëria nis rrugëtimin e saj për kualifikueset e Europianit dhe Silvinjo debuton në stolin e kuqezinjve. Të gjithë kërkojnë që Kombëtarja të shkojë në Gjermani, fundja një grup i tillë, nuk mund të gjendej as nëse do ta zgjidhnim me dorë.
Por në krahun tjetër, kështu mendojnë edhe polakët me çekët, por vetëm dy bileta do të ketë për në Gjermani. A mund ta marrë Shqipëria njërën prej tyre? “Sport Ekspres” ka intervistuar gazetarin e njohur në Poloni, Piotr Kozminski. Ky i fundit ka folur edhe sa i përket dëmtimit të Armando Brojës, por njëkohësisht edhe për Anis Mehmetin.
Nëse do të bënit një parashikim pa nisur ende ndeshja e parë e grupit, Polonia dhe Shqipëria apo Polonia dhe Çekia do të përfundojnë në dy vendet e para?
Mendoj se Polonia do të përfundojë e para dhe Shqipëria mund të luftojë për vendin e dytë me Çekinë. Nga të gjitha skuadrat e grupit duket se Polonia ka potencialin më të madh. Nuk ka lojtar të tillë si Robert Lewandoëski në ekipet e tjera të këtij grupi, Lewandowski është avantazh i madh për Poloninë. Gjithashtu lojtarë të tillë si Piotr Zieli?ski nga Napoli, Wojciech Szcz?sny dhe Arkadiusz Milik nga Juventusi duhet të ndihmojnë Poloninë për të fituar këtë grup.
Çfarë ndryshimi prisni nga trajneri i ri Santos te kjo Kombëtare, cilat janë diskutimet në vendin tuaj?
Epo, edhe nëse Polonia u kualifikua nga grupi i Botërorit në Katar, njerëzit në Poloni nuk ishin të kënaqur me stilin e lojës. Luajtëm futboll shumë të shëmtuar, shumë vëzhgues më thanë në Katar se ishte e vështirë të shikoje Poloninë pasi futbolli i saj ishte larg nga të qenit atraktiv. Ndaj Polonia shpreson që Santos jo vetëm të japë rezultate të mira, por të përmirësojë edhe stilin e lojës. Sigurisht që ne e dimë se ai nuk është trajner ultra sulmues, por shpresojmë se mund të përmirësohemi vërtet me stilin e lojës, që të përdorim më shumë potencialin tonë sulmues.
Më parë Santos është kritikuar për mënyrën sesi e menaxhoi Cristiano Ronaldon, a keni frikë se kjo do të ndodhi edhe me Lewandowski?
Në fakt Santos e menaxhoi mirë Ronaldon për shumë vite, ishte pikërisht aventura në Katar kur pati keqkuptime. Për të qenë i sinqertë, ne nuk kemi shqetësime për bashkëpunimin e tij me Lewandowski. Disa ditë më parë Santos shkoi në Barcelonë për të takuar Lewandoskin dhe ata folën pothuajse për dy orë. Fola me Santosin, e pyeta për këtë, por ai tha se ka pasur shumë yje në klubet e mëparshme, kështu që di të punojë me çdo lloj lojtari. Kur po bëja këtë intervistë pashë se Santos është një njeri shumë i qetë, duket se e di se çfarë po bën, kështu që jam optimist.
Armando Broja do të jetë mungesa e madhe e Shqipërisë. Më pak telashe për Poloninë apo jo?
Sigurisht që është humbja më e madhe për Shqipërinë. Broja është talent i madh, me të ardhme të madhe dhe nëse shikon emrin e skuadrës për të cilën ai luan… Nuk ka lojtarë të dobët në Chelsea, kjo është e sigurt. Ai ka shënuar tashmë 4 gola për Kombëtaren e Shqipërisë, kështu që padyshim është më mirë për Poloninë që të mos luajë. Por nga ana tjetër, ne nuk jemi të lumtur për këtë. Broja ka një lëndim të rëndë, kështu që nga pikëpamja njerëzore do të doja që ai të ishte i shëndetshëm dhe të luante kundër nesh. Por ne nuk mund ta kthejmë kohën dhe nuk do të ndodhë. I urojmë shërim të shpejt, e dimë që dëmtime të tilla janë vërtet të rrezikshme. Le të shpresojmë se ai do të shërohet plotësisht.
Risi në listën e Shqipërisë do të jetë Anis Mehmeti, lojtari i Bristol City. A keni dijeni rreth tij dhe sa probleme i shkaktojnë Polonisë këta lojtarë të formuar në Angli?
Sigurisht që nuk e njoh aq mirë sa Brojan, por kam dëgjuar për këtë lojtar. E thënë më në përgjithësi, duke u formuar në Angli, mund të jetë i rrezikshëm për ne duke marrë parasysh edukimin shumë të mirë futbollistik që merr në atë vend.
Cila mendoni se është pika më e fortë dhe më e dobët e Shqipërisë, bazuar në dy ndeshjet e fundit që kemi pasur?
Mendoj se nuk ka rëndësi se si luajtën në dy ndeshjet e fundit, p.sh ju keni probleme të tjera tani. E kam fjalën për dëmtimet. Pra, trajneri i ri e ka fillimin shumë të vështirë, por këtu është pak a shumë e njëjta gjë. Polonia ka gjithashtu shumë dëmtime dhe nuk është e lehtë për Santosin. Kam dëgjuar që Shqipëria kishte dëmtime në çdo linjë, mbrojtje, mesfushë, sulm. Disa lojtarë do të kthehen në kohë, disa jo. Por ne e konsiderojmë Shqipërinë gjithmonë si një kundërshtar të vështirë. Ndoshta në Varshavë presim fitoren, por jashtë fushe, në Shqipëri është gjithmonë shumë e vështirë për ne. /Sport Ekspres/