Nga Klaudio Ndreca
Rustem Hoxha, ishte ky “heroi” i Teutës në mbrëmjen e djeshme mes shumë emocionesh. Durrsakët arritën që të thyenin yjet e Kukësit me përmbysje dhe të festonin një arritje jo të vogël. Ekipi i Martinit arriti në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe do të përballet atje me Tiranën.
Goli i Hoxhës me kokë do të vendoste takimin ndaj verilindorëve në shifrat 2-1, atëherë kur pakkush e priste. Tashmë në Durrës e kanë fiksim fitimin e Kupës për hir edhe të 100-vjetorit të klubit. Këtë e ka pranuar edhe vetë heroi i djeshëm, Rustem Hoxha, teksa në intervistë për “Sport Ekspres” ka folur edhe për një premio të vendosur nëse do të mbërrihet te suksesi.
Ishte goli i djeshëm më emocionuesi në karrierën tënde?
Po në fakt është një nga golat më emocionues që unë kam shënuar. Por ky realizim i imi do të marrë rëndësi më të veçantë nëse do të arrijmë që të fitojmë Kupën.
Ishit përgatitur te Teuta për kualifikimin në finale, apo Kukësi dukej si kundërshtar i pakalueshëm me cilësitë që ka?
Normale që ishim përgatitur, pavarësisht se Kukësi është ekip shumë i mirë dhe cilësor. E kemi shprehur që në fillim se objektivi ynë është Kupa që t’ia bëjmë dhuratë klubit, tifozëve, vetes për 100 vjetorin. Prandaj, çfarëdo ekipi që të kishim përballë ne do të bënim të pamundurën që të synonim kualifikimin.
Ke qenë edhe vetë pjesë e verilindorëve. Safet Gjici nuk i përtyp lehtë këto humbje apo jo?
Po president Gjici ka shumë ego. E pikërisht kjo gjë e ka dërguar Kukësin deri në këto nivele të larta të kampionatit shqiptar.
Çfarë ka ndryshuar kaq shumë te Teuta për këtë ecuri perfekte që po shohim?
Mendoj se po kalojmë të gjithë një moment të mirë. Jemi të bashkuar dhe duam që të kalojmë këto objektivat që kemi. Nuk duhet që të dështojmë dhe ky është sekreti, jemi të gjithë një.
Cilat ishin fjalët e thëna nga Edi Martini për motivimin para gjysmëfinales dhe a kishit premio për fitoren?
Po këto ndeshje nuk kanë nevojë për ndonjë motivim të veçantë. Nuk është se na tha ndonjë gjë specifike. Ne e dimë dhe duhet të realizojmë objektivat e vendosura nga klubi. Premio? Po e kemi, të mirë madje, nëse arrijmë të fitojmë trofeun.
Sherif Kallaku është ylli i Teutës. Si shok skuadre dhe duke e njohur talentin e tij, do të shkojë larg në Europë?
Sherif Kallaku është një lojtar me shumë cilësi dhe besoj se do eci lart në karrierë. Madje shumë shpejt do të arrij edhe Kombëtaren. Uroj që të ketë një karrierë sa më të mirë dhe sa më të suksesshme. /Sport Ekspres/