Nga Klaudio Ndreca
Myrto Uzuni arriti që të tundi rrjetën e Juventusit në transfertë për të realizuar golin më të rëndësishëm në jetën e tij. Një mbrëmje e shënuar në kalendar për sulmuesin nga Uznova, i cili festoi duke vrapuar drejt flamurit, duke hapur krahët përpara syve të Ronaldos dhe me…”Siuuu”.
Dikur idhull i fëmijërisë, ndërsa në fushë ishte rivali i tij. Dikur mund ta shihte vetëm në “FIFA” gjatë video lojës, ndërsa tani kishte përballë edhe vështrimin e nevrikosur të Ronaldos pasi Uzuni shënoi golin e parë.
E kur ndeshja mbaroi, sulmuesi shkoi menjëherë për të takuar yllin portugez, për të marrë fanellën dhe për të shkëmbyer një bisedë të shkurtër me të. “Sport Ekspres” e ka pyetur më tepër Uzunin rreth kësaj ndeshje, ndërsa na rrëfehet:
“Ishte vërtet një ndjesi fantastike kur i shënova një portieri si Shezni”. Fjalët e Uzunit ndërpriten nga kurioziteti ynë për të kuptuar nëse festa si Ronaldo ishte e planifikuar apo spontane: “Festimi erdhi vet pasi nuk kisha ndërmend që të bëja atë, por gjithmonë e kam parë nga televizori atë këndin kur Ronaldo shënon dhe shkon te kornia. Mu kujtua nga televizori dhe prandaj festova në atë mënyrë”.
E teksa pyetet për bisedën që shkëmbeu me portugezin, sulmuesi shqiptar nuk zbulon shumë: “Më ka uruar për performancën time ndaj Juventusit dhe unë i thashë që është idhulli im që në fëmijëri. Kjo ishte një provë e mirë dhe unë e kisha të qartë se ndeshja po transmetohej në gjithë botën. Duhet t’u tregoja se jam edhe unë këtu. Gjej mundësinë për të falënderuar të gjithë mbështetësit pasi kam marrë shumë mesazhe”.
Dikur si krenari shihej Peter Olainka, i cili teksa doli nga futbolli shqiptar do të arrinte që të shënonte kundër Interit dhe shkëlqeu kundër Barcelonës. Tanimë kemi një krenari të plotë pasi Myrto Uzuni ka qenë pjesë e Superiores dhe aktualisht e Kombëtares, duke qenë shembulli i përkryer për lojtarët shqiptarë se nuk ka të pamundur.
“Të gjithë duhet të ndjekin ëndrrat e tyre, pavërësisht sesa e vështirë që është jeta dhe sa të përplas. Prapë nuk ka justifikime, gjithmonë ekziston një zgjidhje. Do të kesh shumë bërryla dhe sakrifica dhe asnjëherë nuk duhet të dorëzohesh. Po u dorëzove, i jep vendin tënd dikujt tjetër. Vetëm dashuri dhe shumë stërvitje”, është mesazhi që jep Myrto. /Sport Ekspres/