Ekskluzive/ “Izraeli është ndeshja e Rejës”, Altin Lala kujton Shqipërinë e Europianit: Beogradi na lidhi me Kombëtaren

E shtuna do të jetë dita e shqiptarëve pasi Kombëtarja zbret për të luajtur me Izraelin. Interesi është i madh për të parë kuqezinjtë tanë që kërkojnë vendin e parë në grup. Për të mbërritur deri këtu, fitorja është detyrim në këtë përballje. Sport Ekspres ka zhvilluar një intervistë me Altin Lalën, legjendën e Kombëtares. Ky i fundit ka analizuar situatën e Shqipërisë, ndërsa shprehet se ka ndjesi pozitive për suksesin që mund të arrihet në këtë takim.

Një ndeshje që duhet fituar me patjetër ajo me Izraelin. Cilën periudhë të kujton në të shkuarën kjo ndeshje e Kombëtares, një situatë e ngjashme?

Në fakt ne kemi pasur herë pas here momente të ngjashme si kjo me Izraelin, edhe në kohën time kemi pasur shumë ndeshje deçizive. Kanë ndryshuar grupet nga koha jonë, atëherë kishte grupe me nga 6 ekipe, tani me 4 apo edhe 3 si ky ku ndodhet Shqipëria. Sigurisht që është një ndeshje kyçe, ne presim një fitore nga Shqipëria.

Para një takim kaq delikat, cili mendon se është problemi më i madh i Shqipërisë?

Presioni! Është çështje presioni dhe varet sesi e përballon ekipi. Kemi djem të rinj që ndoshta kanë më pak përgjegjësi në këtë aspekt. Por sigurisht që kjo është pjesë e sportit dhe ky takim ne na duhet për të parë veten se në çfarë niveli.

Dhe kur flasim për nivelin, ndalojmë te luhatjet. Kalojmë nga një ndeshje fantastike si ajo me Spanjën dhe më pas nisim me humbjet. Nuk arrijmë dot të kemi tre ndeshje të mira radhazi, përse ndodh kjo?

Fokusimi në momentin i duhur. Difekti ynë si shqiptarë në përgjithësi. Përse mos të jemi në të njëjtin nivel psikologjik në përgatitje si Islanda apo vendet e tjera nordike. Atje janë më tepër ushtarë se gjeneral, shqiptarët shquhen për gjeneral, është tipike e jona. Kam luajtur në Gjermani dhe e njoh mirë vendin këtu. Kam parë që Gjermania ka fituar dhe ia ka dalë në kohën kur pasur ekipin më të dobët, por ka pasur skuadër të fortë. Këtë duhet të bëjmë, mos të vendosim individin të parin, por skuadrën.

Po Izraelin si e vlerëson si kundërshtar? Arriti të fitonte me Shqipërinë në një ndeshje që ne e pamë thuajse si histori të mbyllur…

E vërtetë, ishte një ndeshje me dy tablo. Izraeli ka pasur gjithmonë grup të mirë lojtarësh. Janë të thyeshëm dhe mendoj se kemi shanse të barabarta. Mos harroni se edhe ata do të kërkojnë fitoren.

A mund ta quajmë këtë si “ndeshja e Rejës”? A është ky momenti që gjithë eksperienca e Rejës mbi shpatulla të dali në pah?

Po, këtë lloj ndeshje mund ta quajmë të tillë. Në këtë përballje Reja duhet t’i japi një ndihmë lojtarëve me eksperiencën e tij. Uroj që të gjithë të jenë në formë dhe të gëzojnë shëndet të plotë.

Një tematikë që ne gjithmonë e hapim. Kur nisim një ndeshje gjithmonë jemi pozitiv dhe tregojmë emrat e mëdha të ekipeve ku luajnë futbollistët tanë tani. Pasi humbim tregojmë se në fakt këta lojtarë, nuk është se aktivizohen shumë me këto skuadra. Pyetja është e thjeshtë, ku jemi realisht, në çfarë pike para ndeshjes me Izraelin?

Cilësia është e gjitha aty, por nuk mjafton. Duhet grupi siç e përmenda dhe një kimi e fortë. Nuk po luan as me Gjermaninë, as me Anglinë dhe as me Spanjën. Këtu mund të fitosh çdo ndeshje. Ne duhet të jemi në formën e duhur. Gjithmonë Kombëtarja është një krenari kur të fton. Duhet të jemi serioz, të kapim rendimentin tonë. Mos harroni sesi shkuam në Europian, vetëm në saj të atij grupi lojtarësh. Ndoshta ndikoi edhe Beogradi atëherë,  mori një shkëndijë tjetër identifikimi me Kombëtaren, ishte vala.

Nuk mund ta lëmë këtë intervistë pa përmendur Armando Brojën…

Broja është talent i madh, ka treguar në disa momente se di ta bëj diferencën. Duhet t’i shërbehet atij, ta vendosim në pozita 25 metra afër portës. Është më i mirë kur është në driblim një për një me kundërshtarin, ka goditje të fortë dhe shpejtësi. Sigurisht që duhet ta shfrytëzojmë këtë potencial. Por jo të varemi vetëm nga Broja, kemi edhe lojtarë të tjerë, Uzuni është në formë të mirë gjithashtu.

Nga ana tjetër kemi Xhakomo Vrioni që kalon në kulmin e tij në MLS. A i heq kjo Kombëtaren përfundimisht, megjithëse këtë herë ftesa e munguar justifikohet edhe me dëmtimin e kaluar?

Të gjithë amerikanët mundohen të vijnë në Europë, këtë herë ndodhi e kundërta. Megjithatë unë kam ndjekur disa ndeshje në MLS, ka nivel të lartë edhe aty. Vrioni është ende i ri dhe mund të kthehet sërish.

Në fund, duam të kemi një parashikim për Izrael-Shqipëri.

Kam ndjesi pozitive, mendoj se i mundim me rezultatin 1-3. Golashënuesit po i kursej (qesh)

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *