Ekskluzive/ “Ishte koha e Nokias”! Rrëfimi i Tefik Osmanit, jep edhe lajmin e madh për Tiranën: Nuk ka Zot që më ndalon të tregoj të vërtetën e Skënderbeut

Nga Klaudio Ndreca

Në kohën kur Tefik Osmani erdhi në kryesim të punës së Tiranës ka pasur jo pak diskutime. Për të marrë pozitë drejtuesi në një klub të madh duhet të përballesh me të gjitha komentet e para, që shpeshherë nuk njohin as limite. Për më tepër bardheblutë vinin nga një ecuri fantastike me Egbon, i cilësuar si “i dërguari i Zotit” dhe tifozët ishin pesimist se një tjetër titull kampion do të duhej vite me radhë për të mbërritur sërish te bardheblutë.

Por nuk kaloi shumë kohë dhe Tirana ia doli sërish për të fituar, pa konkurrent dhe me tjetër ecuri mbreslënëse si ajo në kohën e Egbosë, për të mos thënë më mirë, për më tepër duke u kurorëzuar ndaj Partizanit. Shumë lojtarë kanë dalë në treg dhe ofertat janë të pafundme për lojtarët e bardhebluve. Madje situata ka mbërritur deri në atë pikë sa presidenti Halili t’i vendos çmim 1.5 milionë euro Taulant Seferit, historike edhe për vetë Superioren.

Për këtë arsye përgëzimet i takojnë edhe Tefik Osmanit, që tani ka ndjenjë legjitime krenarie për veten pasi u tregoi të gjithëve sesa vlente. Në fakt, e gjithë jeta e tij futbollistike ka shkuar në këtë mënyrë. Gjithmonë duhej të tregonte sesa i vlente lëkura dhe siç shprehet vetë, disa të vërteta “tronditëse” nuk kanë dalë ende në skenë për kohën kur ishte pjesë e Skënderbeut. Ndërkohë Osmani ka edhe një lajm të madh për tifozët e Tiranës. Mes frikës së tyre se lojtarët më të rëndësishëm do të largohen në këtë moment për shkakun e ofertave të shumta, drejtori garanton se nuk do të ketë asnjë lëvizje dhe ofertat e tyre do të shqyrtohet vetëm pas përfundimit të rrugës europiane.

Në karrierën tënde si lojtar ke ndërruar jo pak ekipe. Tani duket sikur lojtarët marrin më shumë ngarkesë dhe komente negative kur bëjnë lëvizje të tilla brenda Superiores, jo vetëm mes ekipeve të derbit. A e sheh dhe ti një tendencë të tillë?

Po është e vërtetë që kam ndërruar shumë ekipe, por jo se kam dashur unë gjithmonë, por kanë qenë klubet që më kanë larguar. Tani ka më shumë portale në treg dhe ndihet kjo pjesë, më përpara ishte koha e telefonit Nokia (qesh).

Skënderbeu në Kategorinë e Parë dhe Tirana kampione. Dy verdikte brenda një sezoni, e shkuara dhe e ardhmja jote. Cilat janë përshtypjet e para?

Më vjen keq normalisht, te Skënderbeut kam dalë futbollist. Nuk mohoj asgjë në jetë, por do të flas në një moment tjetër për qytetin e Korçës. Jam i sigurt që njerëzit nuk e dinë të vërtetën, se çfarë kam bërë unë për atë qytet dhe gjithmonë më kanë hedhur baltë. Nuk ka Zot që më ndalon të them të vërtetat. Për Tiranën ndihem mirë për besimin që kanë pasur te mua, që të tjerët nuk e kishin në fillim. Kjo më bën të ul kokën dhe të punoj më shumë.

Kur mbërrite te Tirana ka pasur shumë komente, tani riktheheni te titulli kampion dhe duke nxjerrë një sërë lojtarësh në treg. Ka ndjenjë krenarie Tefiku për punën e bërë në gjithë këtë kohë dhe heshtjen e kritikëve?

Në jetën e futbollit gjithmonë kam vuajtur, prandaj thashë që do të flas edhe për Korçën. Tirana është klub i madh, komente do të ketë, por jam i lumtur që njerëzit që besonin te mua, ua ktheva me titull këtë besim. A ka krenari më të madhe sesa të fitosh besimin e të gjithëve?

Kur Taulant Seferi erdhi te Tirana, komentohej vetëm për ngjyrën e flokëve, pasi performancat ishin të dobëta. Tani vijmë në këtë pikë ku kthehet në yllin e Superiores. Çmimi i vendosur nga Halili prej 1.5 mln eurosh, mund të afrojë sërish interesime nga klube të tjera duke njohur tregun dhe fuqinë e shitjes të Superiores?

E dinim se ishte lojtar shumë i mirë dhe djali i këtij niveli. Por dinim edhe se vinte nga një kohë jo e mirë pasi kishte kaluar dëmtim. Ndihemi mirë të gjithë për Taulantin, e meriton çmimin që ia ka vendosur Halili. Interes ka për të gjithë ekipin nga stafi i trajnerëve e deri te lojtari i fundit. Por përtej shakasë, pas Europës do të shohim ofertat, tani kemi qëllim tjetër.

Visar Bekaj, dikur ky portier ka qenë edhe pranë Bundesligës, por firmosi me Tiranën. Nuk e ekzagjerojmë nëse themi është më i miri i 20 viteve të fundit te Tirana?

Visari ka oferta dhe tani që po flasim, por siç e thashë më lart, do ta shohim pas Europës. Po thatë që është portieri më i mirë i 20 viteve të fundit duhet të thoni edhe “Mashalla” që të mos na e kapi syri i keq. (qesh)

Duke kthyer kokën mbrapa, cili ka qenë momenti më i vështirë për ty te Tirana në sfidën e re si drejtues?

Momente të vështira ka gjithmonë në punë dhe të mendosh që kujdesesh për 30 veta, plus edhe me presidentin e klubit. Por unë jam tip që mbaj mend të mirat dhe i harroj shpejt momentet e vështira. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online