Ekskluzive/ “Ishte gabim mbërritja te Kukësi”, flet trajneri që ndezi Dakun: Më tha Fakiç, vetëm ti e kthen…

Nga Klaudio Ndreca

Mirlind Daku po shpërthen në këtë sezon te Ballkani pas largimit nga Kukësi, duke merituar edhe ftesën e Kosovës. Ky sulmues do të jetë në përballjen kundër Shqipërisë dhe Ligës së Kombeve për të vazhduar performancën fantastike që po tregon në elitën e Kosovës. Por kush ka arritur që të “ndez” Dakun për të shpërthyer në gola? Pikërisht “Baba i futbollit të Kosovës”, Ismet Munishi. Një trajner karizmatik dhe tërësisht i veçantë në trevat shqiptare që ka korrur rezultate mbreslënëse edhe në sezonin e shkuar te Ballkani.

Një seri talentesh po zbulohen në këtë skuadër, ndërsa i radhës pritet të jetë Mirlind Daku që do të bëjë hapin e madh. Gjatë një prononcimi për “Sport Ekspres”, Munishi ka folur edhe sa i përket eksperiencës së shkuar të sulmuesit të tij me ekipin e Kukësit.

“Ftesa e Dakut? Është nder dhe krenari që të luash me Kosovën. Daku është në formë të mirë dhe duhet që të vazhdoj kështu, llogaritë bëhen në fund. Vetëm duhet që të vazhdoj në këtë mënyrë. Objektivi ka qenë 20 gola në fillim, por tani gjërat kanë ndryshuar dhe mund të kemi një rekord të ri në Kosovë. Dakun nuk e kanë trajtuar mirë te Osijeku, por mbërritja e tij te Kukësi ishte një gabim pasi kishte konkurrencë me një sulmues që ishte në formën më të mirë, Shkurtajn. E kam njohur mirë sepse është zbulimi i mikut dhe kolegut tim Agim Maliqit. Kemi pasur shumë besim te Mirlindi ka punuar mjaft mirë te ne.

Haris Fakiç ka pasur shumë besim dhe e solli te ne. Më tha që vetëm ti mund ta kthesh Mirlind dhe duke hequr modestin them se kemi punuar shumë fizikisht, në aspektin taktik dhe të situatave të lojës, në ngritjen e vetbesimit. Tani jemi shumë të lumtur për Mirlindin. Duhet thënë se Cima “Arsim Kabashi presidenti i klubit”,  e ka dërguar klubin në nivel që të jap lojtarë për Kombëtaren brenda 4 viteve. Kushtet në klubin tonë janë në nivelet më të larta”, u shpreh Ismet Munishi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *