Nga Klaudio Ndreca
Klaus Gjasula është futbollisti që ka rrëmbyer zemrat e tifozëve në repartin e mesfushës. Gjakftohtë dhe i disiplinuar, si për të treguar vendin ku është rritur, në Gjermani, por duke ruajtur zemrën dhe shpirtin e ndezur të një shqiptari të vërtet. Ky është kombinimi perfekt që na ka prodhuar një lojtar si Klausi, që vetëm mund të dashurohet nga sportdashësit.
E për të kuptuar sesa vend gjen mesfushori te ne, e tregoi finalja me Poloninë. Mjaftoi njoftimi se Gjasula është prekur nga COVID-i dhe i gjithë optimizmi i tifozëve për të fituar në “Air Albania” u kthye në pesimizëm: “Jo, vetëm kjo nuk duhej”.
“Sport Ekspres” ka kontaktuar me babain e Klausit, Fatmir Gjasulën. Ky i fundit na tregon djalin e tij sesi është edhe jashtë fushës së lojës, për dashurinë e madhe që ka në zemrën e tij dhe që e tregon në çdo detaj të vetëm. Kur mbaron bukën, shkon për të përqafuar njeriun që e solli në jetë: “Faleminderit mami”. Kaq kuptimplotë!
Përshëndetje, po flasim me babain e Klaus Gjasulës. Fillimisht, sa krenar të bën ky përcaktim pasi babai i gëzohet suksesit, ndoshta edhe më shumë sesa vetë djali apo jo?
Nuk ka prind që nuk ndihet krenar për fëmijën e tij. Megjithatë unë jam si natyrë kërkuesi dhe gjithmonë kam pritur dhe kërkuar më shumë. Mundësitë kanë qenë edhe më të shumta, por futbolli ka edhe shans, duhet të jetë gjithmonë me ty.
Besoj se në ndeshjen kundër Polonisë, ka dalë nga sistemi edhe telefoni yt nga mesazhet. Ishin të shumtë personat që po të shkruanin nëse do të luante apo mungonte Klausi?
E kam ndierë veten shumë keq kur më kanë thënë se doli pozitiv me COVID. Jo se Shqipëria do të fitonte po të ishte Klausi, por do ta ndihmonte shumë në fushë. Kanë qenë të shumta telefonatat dhe njerëzit që kërkonin përgjigje: “Përse mbeti jashtë?”. Janë disa gjëra që nuk i shmangesh dot, ishte normale ai lloj reagimi.
Tifozët e Shqipërisë janë shumë të lidhur me djalin tënd, është një prej më të preferuarve. Cilin mesazh do të veçoje që mund ta ketë treguar Klausi ose ndoshta ka mbërritur edhe në adresën tënde?
Është kënaqësi e madhe kjo simpati e tifozëve. Thuajse në çdo ekip që ka shkuar, ka qenë i preferuari. Kjo për shkak e natyrës sesi luan futboll, luan me shpirt. Është i rëndësishëm për trajneri dhe ekipin, lojtar “i pisët” që hyn në dyluftime dhe fiton duele. Mesazhi që më ka emocionuar? Biseda që bëri me atë djaloshin nga Presheva që po qante kur humbi Shqipëria, më preku shumë edhe mua, më dolën lot.
Kur e kthen kokën pas dhe kujton sakrificat e bëra për të dy djemtë që të vazhdonin në rrugën e futbollit, krenohesh edhe me veten tënde që nuk ia ndrydhe kurrë dëshirën dhe i ndoqe nga pas?
Sakrifica për fëmijët është njerëzore, ishte detyrim pasi për ata fëmijë jetojmë. Ne kemi traditë familjare në futboll, familja ime ka dhënë shumë për futbollin shqiptar. Ne e kemi pasur mbiemrin Merja, Gani Merja ka qenë pjesë e Kombëtares, është xhaja im. Skënder Halili vinte nga fisi ynë, ndërsa edhe babai im ka luajtur me Tiranën. Unë vetëm futboll shoh, 24 orë dhe prandaj ndihem krenar që të dy fëmijët vazhduan në këtë rrugë.
Klausi, kaq gjakftohtë dhe i saktë është edhe jashtë fushës së futbollit apo vetëm në fushë është i tillë?
Klausi është i qetë, është i dashur. Edhe kur vjen te ne, kur ha bukë, rrallë ndodh që ha bukën e përgatitur nga mami, por në fund kur mbaron thotë: “Faleminderit mami” dhe e përqafon. Flet me nënën time që është 84-vjeçe dhe i dalin lot. I dhimbset dhe i vjen keq edhe kur sheh një njeri në gjendje të keqe. Në fillimet e veta nuk vinte shumë në Shqipëri, por unë ia injektoja dhe kur fliste me Jurgenin në gjermanisht, se e kishin më të lehtë, unë i dëgjoja nga dhoma tjetër dhe i bërtisja: “Flisni shqip”.
Kur të pëlqente më tepër si imazh, kur luante me helmetë në kokë apo pa të?
Për natyrën e futbollit që luan, i përshtatej shumë dhe ka disa situata të veçanta. Përshembull kur luante në Gjermani dhe ishte pa helmetën që bënte nxehmjen, ndaj disa ekipeve që ishin kundërshtarë të ashpër të ekipit të Klausit, nuk e njihnin fare. Sa niste ndeshja dhe vendoste helmetën në kokë, nisnin tifozët menjëherë që ta vërshëllenin. Nëse jep shpirtin në fushë, njësoj është edhe pa helmetë. Sigurisht që me helmetë e konkretizonte disi me natyrën që ka si lojtar.
Sa i lidhur ka qenë më atdheun dhe sa e ka ndierë atë, pavarësisht se ka punuar për pjesën më të madhe të kohës jashtë Shqipërisë?
Në vogëli nuk ka qenë shumë i lidhur, pastaj në adoleshencë po i pëlqente se kam ardhur në Himarë për 7 vite rresht. U njoh me disa njerëz atje në plazh, i pëlqente, ka dashuri për gjyshin, gjyshen, kushurinjtë. Më thoshte gjithmonë: “Babi duhet të ikim në Shqipëri”.
Një ditë në Botëror ose Europian duke e parë nga stadiumi dhe mes mijërave tifozëve shqiptarë. Do ta ndërroje me një tjetër ndjesi këtë moment?
Është ëndërr për mua, për Klausin dhe as që e vendos “në kandar” me ditë tjetër, nuk bëhet fjalë që ta ndërroj. Vështirë duket, por mund të ndodhi gjithçka. /Sport Ekspres/