Ardit Hoxhaj ka shpëtuar një rrëshkitje të madhe te Flamurtari, që ishte vetëm 1 minutë larg që të ndodhte pas asaj ndeshje me Tiranën. Një tjetër humbje ndaj bardhebluve me rezultatin 1-2, nëse nuk do të vinte ai gol në sekondat e fundit, do të bënte që presidenti Idrizi të kalonte nga vepra dhe të linte paralajmërimet.
Sadedini ishte i pari që do të bënte gati valixhet, por pa harruar edhe disa lojtarë të tjerë që nuk po lënë shije të mirë. Por aty u shfaq si një “perëndi” Hoxhaj, për t’i shpëtuar të gjithë. Një gol çlirimi dhe lehtësimi, ndërsa heq bluzen në mënyrë legjitime dhe nis të festojë pasi ndaloi një situatë anormale te klubi ku bën pjesë. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, menjëherë pas ndeshjes së djeshme, Hoxhaj është shprehur:
“T’i shënosh një ekip si Tirana dhe në “frymën e fundit”, t’i japësh pastaj ekipit 1 pikë shprese, është gjithmonë një emocion i bukur. Doja të tregoja që unë jam këtu për të ndihmuar Flamurtarin, pavarësisht se çfarë flitet sepse kam dëgjuar shunë llafe këto kohë.
Në tribunë ishte një person special për mua dhe atij i dedikohet goli. Të them të drejtën, Tiranës nuk i kisha shënuar në ndeshje zyrtare, vetëm në miqësore. Tirana është vërtet ekip i madh. Më kanë uruar menjëhrë pas ndeshjes. Më i bukur vjen nga familja: “Jemi krenar për ty”.
Realisht, për t’u kthyer te situate e Flamurtarit, s’mund të mendojmë për objektiva shumë madhor kur jemi vërtet shumë keq me pikë. E vetma ide që është që futemi në fushë dhe të grumbullojmë sa më tepër pikë. Nuk shikoj shumë diferenca në cilësi mes ekipeve, thjesht duhet të punojmë sa më tepër që të rritemi sa më shumë. Ne kemi qenë me vonesë pasi nuk kishim fazë përgatitore dhe kjo ka pasur ndikimin e saj”, shprehet Ardit Hoxhaj. /Sport Ekspres/