Historia e Bruno Telushit me Vllazninë është ndezur sërish në mediat sportive. Vetëm një muaj më parë ishte e njëjta panoramë që u shfaq me lojtarin që ishte pranë ekipit shkodran. Megjithatë mediat do të zbulonin se për shkaqe familjare Telushi nuk do të mbërrinte te Vllaznia pasi bashkëshortja e 30-vjeçarit e kishte të pamundur që të jetonte në Shkodër nga angazhimet e saj në një tjetër qytet.
“Sporti nga Bajraktari” mori edhe aprovimin e vetë mesfushorit në mbrëmjen e djeshme se ishte arritur akordi me Vllazninë, ndërsa sot pritej zyrtarizimi i marrëveshjes. Kur të gjitha prisnin njoftimin në faqen zyrtare të shkodranëve, mbërriti prononcimi i Telushit për “ABC News” që tregonte se u ndie i ofenduar nga oferta e shkodranëve që ishte më pak se 40% i propozimit fillestar.
“Sport Ekspres” ka kontaktuar me drejtorin e Vllaznisë, Matko Djarmati, për të pasur më tepër sqarim mbi këtë çështje. Megjithatë mes pak fjalëve të thëna, Djarmati tregon shumë: “Nuk kam se çfarë të reagoj. Historia e Telushit ishte e mbyllur që para një muaji kur nuk ka ardhur në Shkodër”, ka thënë drejtori i Vllaznisë si për të treguar se e prisnin një “ndarje të dytë” pa u bashkuar kurrë. /Sport Ekspres/